MENU
klinika

Zogaj analizon pozitën e ish-kryeministrit

“Berisha të japë shembullin e respektit ndaj drejtësisë”

12.09.2024 - 10:45

Preç Zogaj mendon se marrja e Berishës nga SPAK si i pandehur nuk do ta pengojë ish-kryeministrin në fushatën si kryetar i PD. Në vijim të argumentit të tij të shprehur në “Opinion” në Tv Klan, Zogaj shtoi se Berisha mund të vijojë mbrojtjen e tij normale.

Gjithashtu tha se SPAK është pala akuzuese, por me sulmin drejt institucionit, Berisha delegjitimon aksionin e SPAK. Sipas Zogajt, Berisha duhet të japë shembullin e respektit ndaj drejtësisë dhe të përfitojë politikisht nëse gjykata vendos në favor të tij.

Preç Zogaj: Unë mendoj se jo, s’duhet ta pengojë, nuk e di sepse këtu ka një kompleks hetimesh, nuk është se është vetëm kjo. Mendoj se jo se këtu meqenëse kanë pushuar arsyet e mbajtjes së Berishës në gjendjen e arrestit shtëpiak, unë besoj logjikisht se nuk flas dot si jurist, se ai duhet lejuar që të paraqitet në gjykatë kur gjykata e thërret.

Blendi Fevziu: Të ushtrojë aktivitetin normal, të përditshëm të tij.

Preç Zogaj: Shembull për t’u ndjekur në të gjitha aspektet, jo vetëm në këtë aspekt, kemi në Amerikë. Ish-presidenti Trump është i akuzuar, ka 4 akuza por është në garë sepse gjykata, drejtësia ka afatet e veta, nuk hyn drejtësia në garë me politikën. Afatet e saj janë edhe më të gjata, zgjasin, politika ka edhe kalendare, zgjedhjet i përgjigjen një kalendari. Ngjarja politike është që jemi në kushtet normale të funksionimit të shtetit ligjor ku askush s’është mbi ligjin. Pas 30 vjetësh kemi akuza për zv/kryeministra, kemi dënime për ministra, kemi një akuzë për ish-kryeministrin, në rastin konkret sot për Berishën, që nga koha e Fatos Nanos nuk kemi pasur pothuajse. Unë mendoj që duke qenë Berisha për shumë vite president, kryeministër, një figurë që ka shënuar në funksione të larta shtetërore historinë e demokracisë, pra duke qenë i tillë, ai ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në vendosjen e pandëshkueshmërisë në vend, në Shqipëri dhe nga kjo pikëpamje ai duhet të japë shembullin meqenëse ka qenë protagonist i epokës së pandëshkueshmërisë, duhet të japë shembullin e respektit ndaj drejtësisë. Mbrojtja është tjetër gjë, sigurisht është në të drejtën e vet që të rrëzojë të gjitha akuzat, por kam frikë se duke e përdorur rastin e vet në një kriter absolut të denigrimit të SPAK-ut me një fjalor të papranueshëm, dashje pa dashje, Sali Berisha po merr përsipër që të thuash të bëhet mbrojtësi i gjithë kastës politike të korruptuar që ose janë nën hetim ose presin të hetohen. Mendoj se ka nevojë për më shumë qetësi dhe për një mbrojtje efikase dhe në qoftë se gjykata do të konkludojë që akuzat ndaj tij janë të padrejta, ai të përfitojë politikisht atë që nuk do të kishte përfituar në qoftë se nuk do t’i kishin ndodhur këto ngjarje.