Partia Demokratike po përgatitet për përballjen elektorale të radhës, vitin e ardhshëm, por e gjen veten jo fort “të shëndetshme” prej rrethanave të mbartura nga e kaluara.
Iliri Alimehmeti, drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, deklaroi të shtunën në studion e RTSH 24 se fakti që kryedemokrati Sali Berisha vazhdon të mbetet nën arrest shtëpie është një gjë që nuk ia lehtëson imazhin grupimit më të madh opozitar në vend.
Shefat politikë të PD-së u përcaktuan ditë më parë dhe tani do duhet të nxirren drejtuesit që do të synojnë karrigen e kuvendarit për vitin 2025. Kandidatët është propozuar të zgjidhen edhe përmes sistemit të primareve.
“Nëse flasim për primaret, ato kanë elemente pozitive dhe negative, sepse zakonisht janë një mundësi për parti shumë të shëndetshme. Nuk mund ta themi dot këtë për PD-në duke parë zhvillimet e viteve të fundit. Nëse ke liderin në arrest shtëpie nuk ke shëndetin e duhur. Së dyti, në primare votojnë kryesisht strukturat dhe elektoratit i drejtohesh në zgjedhje. Ky është një problem që duhet menaxhuar. Kjo patjetër ka riskun e shtrembërimit të rezultatit, sepse mund të futet kampi kundërshtar për të zhbërë rezultatin, siç ndodhi me zgjedhjet e kaluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Disa risqe duhen ndërmarrë,” u shpreh z. Alimehmeti.
Drejtuesi i politikave të shëndetësisë në PD bëri të ditura edhe qëndrimet personale për vendimin e Kryesisë që kryetarët e rretheve në Shqipëri këtë herë të jenë të gjithë burra. Përveç çështjes së barazisë gjinore, edhe ajo e pranisë së diasporës në vendimmarrje lë vend për përmirësime.
“Është i rëndësishëm përfaqësimi dhe ndoshta do duhej menduar më gjatë për këtë. Nga ana tjetër është argumenti që në këtë lloj shteti nevojitet një prezencë më e fortë. Janë vendime që kanë zgjatur me muaj.
Nga krahu tjetër duhet të kishte pasur edhe një vëmendje të veçantë për diasporën. Ata gjithsesi kontribuojnë, sepse një pjesë e buxhetit vjen edhe prej remitancave të tyre. Ishte një mungesë ulëritëse. Nëse themi që 1,5 milionë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria, patjetër kjo është shifër e lartë. Duhet të mendojmë edhe për gjysmën e Shqipërisë që është larguar jashtë.
Këtu nuk diskutohet kontributi apo hierarkia e personave, por produktiviteti. Produktiviteti është kyç në fushatën elektorale: pra cilësia është diçka, por nëse mungon aftësia për të demonstruar apo besueshmëria për t’ua treguar të tjerëve atëherë do të bjerë produktiviteti dhe falimenton i gjithë ‘biznesi’,” deklaroi z. Alimehmeti për RTSH 24.