MENU
klinika

Rivaliteti vihet re edhe mes tri fuqive të Boshtit!

Edhe Musolini e Hitleri lakmonin Mitrovicën

27.09.2024 - 14:46

XHEZAIR ZAGANJORI/ Mes trojeve shqiptare, padyshim që Qarku apo Rajoni i Mitrovicës ka qenë dhe mbetet zona me e pasur për sa i përket pasurive natyrore. Këtë e tregojnë edhe minierat e shumta që janë në këtë hapësirë, ku dallon veçanërisht ajo e Trepçës, me rezerva të jashtëzakonshme të mineraleve të shumta e me vlere, mes të cilave mund të veçohen sidomos zinku dhe plumbi, si dhe nënproduktet e tyre, si ari, argjendi, vivianit, pirit, e të tjerë. Por pikërisht ky fat apo kjo dhuratë e çmuar e natyrës apo Perëndisë, ka qenë njëkohësisht, në mënyrë paradoksale, edhe fatkeqësia më e madhe e këtij rajoni.

Thuajse gjithnjë, gjatë gjithë historisë së vjetër e të re, shtete e fuqi të ndryshme fqinje e më gjerë, veçmas apo në rivalitet me njëri-tjetrin, kanë synuar në mënyrë permanente, përmes dhunës së armëve apo joshjeve nacionaliste boshe, për të shtënë në dorë këto pasuri natyrore të Mitrovicës. Pikërisht këto zhvillime e politika të mbrapshta që kishin si qëllim kryesor shfrytëzimin pa kriter dhe transferimin masiv të mineraleve të grabitura, e lanë këtë rajon të pazhvilluar si dhe popullsinë e saj në një gjendje ekonomike mjaft të vështirë. Por nga ana tjetër, kjo situatë nxiti ne popullsi revoltën e brendshme dhe krijoi e kaliti gjithnjë e më shumë, në dekada e shekuj, ndjenjën e patriotizmit, duke e bërë realisht Mitrovicën një prej qendrave më të forta e më të zjarrta të shqiptarisë.

Është interesant të theksohet se rivaliteti për të shtënë në dorë Mitrovicën gjatë Luftës së Dytë Botërore vihet re qartësisht edhe mes tri fuqive të Boshtit: Italisë, Bullgarisë e Gjermanisë. Synimi për të përfituar sa më shumë në kurriz të popujve të tjerë i nxiti edhe aleatet agresorë të sajojnë strategji, plane e intriga që në fund të fundit synojnë manipulimin e njeri-tjetrit, pa llogaritur aspak interesat e njerëzve që jetojnë aty. Kjo duket qartë edhe në rastin e përcaktimit të “fatit” të territoreve të Kosovës së Veriut, të cilat, pas pushtimit të Jugosllavisë në prill të vitit 1941, lakmohen njëkohësisht nga Gjermania, Bullgaria dhe Italia. Kjo situatë përshkruhet mjaft mirë në një telegram tepër sekret që i dërguari i Gjermanisë në Romë, Otto Christian Archibald von Bismarck, i dërgon qeverisë gjermane më 28 mars 1942. Në fakt, bëhet fjalë për një letër apo informacion tepër sekret që Konti Ciano, në emër të qeverisë italiane (pra në emër të Musolinit), ja përcjell zyrtarisht kryetarit të qeverisë gjermane (pra Hitlerit). Por para se të paraqesim përmbajtjen e këtij telegrami, le të sqarojmë shkurtimisht situatën në kontekstin historik konkret.

Pas agresionit të Italisë Fashiste ndaj Shqipërisë më 7 Prill 1939, Musolini dhe Ministri i Jashtëm i tij Konti Ciano, duke shfrytëzuar situatën etnike të shqiptarëve në tërësi, për arsye demagogjike dhe përmes një propagande të shfrenuar, shpallën si “objektiv kryesor” dyfishimin e popullsisë shqiptare përmes bashkimit të Shqipërisë me Kosovën dhe Çamërinë. Në fakt, ky “objektiv” synonte qetësimin e situatës së brendshme politike në vendin tonë për shkak të pushtimit, si dhe shfrytëzimin sa më të qetë të burimeve natyrore shqiptare, veçanërisht të naftës së zbuluar në Devoll dhe në Patos. Në funksion të këtij mashtrimi, më 28 tetor 1940, nga territori shqiptar italianët sulmuan Greqinë, por pas disa sukseseve sporadike në fillim të këtij agresioni, rreth një muaj më pas, forcat italiane do të tërhiqeshin të shpartalluara në territorin shqiptar. Italianët do të provonin sërish në fillim të marsit 1941 të pushtonin Greqinë, por pa sukses. Ndërkaq, në fund të vitit 1940 dhe fillim të vitit 1941, Boshtit Qendror (Gjermani, Itali e Japoni), i ishin bashkuar edhe Hungaria, Rumania dhe Bullgaria.

Në periudhën mars – prill 1941 kemi ndërkaq zhvillime tepër të rëndësishme edhe në Jugosllavi. Me 25 mars 1941, Princi Regent Pavel Karagjorgjeviç, nën presionin e Hitlerit, do të nënshkruante një marrëveshje bashkëpunimi me Boshtin Qëndror. Të alarmuar nga ky zhvillim, forca të caktuara në Jugosllavi, me ndihmën e Britanisë, organizuan të ashtuquajturin grusht shteti, duke rrëzuar nga froni Princin Regent Pavel Karagjorgjevic dhe në vend të tij vendosën Princin trashëgimtar të fronit mbretëror, Pjetri i Dytë, djali i ish-Mbretit Jugosllav Aleksandër i Parë, vrarë në një atentat në vitin 1934. Por Pjetri i Dytë ishte ende 17-vjeç. Duhej edhe një vit që ai të fitonte ligjërisht të drejtën e trashëgimit të fronit. Hitleri do ta konsideronte këtë veprim si fyerje personale të tij, ndaj dy ditë më vonë, me 27 mars 1941 do të nënshkruante të ashtuquajturin Dekreti nr.25, përmes të cilit urdhërohej sulmi kundër Jugosllavisë dhe Greqisë, në të ashtuquajturën Operacioni apo Fushata e Ballkanit (Balkanfeldzug). Në këtë sulm, krahas forcave ushtarake gjermane, do të merrnin pjesë edhe forcat ushtarake italiane, hungareze dhe bullgare.

Një marrëveshje e përfunduar pak kohë më parë në Vjenë mes përfaqësuesve të Boshtit Qendror, bënte njëkohësisht edhe ndarjen në vija të përgjithshme mes fuqive agresore të territoreve që do të pushtoheshin në Jugosllavi e Greqi. Agresioni filloi më 6 prill 1941 dhe në Jugosllavi përfundoi pas rreth dhjetë ditësh, më 17 prill, me dorëzimin pa kushte të Ushtrisë Mbretërore Jugosllave. Në Greqi, operacioni ushtarak do të përfundonte në qershor 1941. Në përputhje me marrëveshjen e Vjenës, në Greqi, forcat gjermane do të vendoseshin kryesisht në zonën e Selanikut, në Athinë, në pjesën më të madhe të ishullit të Kretës, si dhe në disa nga ishujt greke në afërsi të Turqisë. Italianët do të pushtonin thuajse tërësisht pjesën qendrore e jugore të Greqisë. Bullgarët do të pushtonin Thrakën Perëndimore si dhe disa nga ishujt kryesore të Detit Egje.

Ndërkaq, në Jugosllavi, në pjesën qendrore të saj, nga Zagrebi deri në kufirin me Shqipërinë, do të krijohej Shteti i Pavarur i Kroacisë, me një qeveri kukull në shërbim të Gjermanisë Naziste. Hungaria do të merrte zonën e Vojvodinës. Gjermania do të merrte territorin e Serbisë si dhe një pjesë të Kosovës Veriore (kryesisht zonën e Mitrovicës). Italia do të merrte një pjesë të territorit të Sllovenisë, përfshi edhe Lubjanën, disa qytete të Bregdetit Dalmat, si dhe një pjesë të mirë të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore, nga vija Prishtinë – Skënderaj në veri, deri në zonën e Korçës, në jug (përfshi Tetovën, Gostivarin, e të tjerë). Bullgaria do të merrte të gjithë pjesën tjetër të territorit të Maqedonisë së sotme, si dhe një pjesë të Kosovës Verilindore, me qendër qytetin e Podujevës (Besjanës). Veçanërisht në këtë pjesë, pra në zonën e Podujevës, dhuna dhe terrori i ushtruar ndaj popullsisë shqiptare nga forcat ushtarake bullgare ishte shumë i madh. Synimi kryesor i tyre ishte detyrimi i shqiptareve për t’u larguar nga ky territor.

Siç shihet shumica e territorit të Kosovës dhe pjesa perëndimore e Maqedonisë iu dhanë Italisë. Krahasuar me Italinë, Gjermania që udhëhoqi agresionin ndaj Jugosllavisë, mori shumë më pak në Kosovë, kryesisht vetëm zonën e Mitrovicës, pikërisht për shkak të pasurive të çmuara të nëntokës së saj, për të cilat gjermanët kishin mjaft informacion. Megjithatë, siç do të shihet edhe në telegramin e mëposhtëm, Italia përpiqet me të gjitha mënyrat ta marrë për vete edhe këtë hapësirë, në emër të mbarëvajtjes së “koalicionit” të Boshtit Qendror, “mbrojtjes” së interesave të shqiptarëve, si dhe “miqësisë” apo aleancës së veçantë që kishte me Berlinin. Si pretekst përdoret paqartësia rreth kontrollit apo sundimit të krahinës së Podujevës. Me sa duket, bullgaret e donin atë me çdo kusht, me synimin për të vënë më pas nën kontroll edhe pjesë të tjera të qarkut të Mitrovicës. Gjermanët ishin të lëkundur, pasi u kishin premtuar bullgareve zgjerimin e territoreve të tyre në drejtim të perëndimit, kryesisht të Maqedonisë së sotme dhe Thrakën Perëndimore në Greqi, si kompensim për anëtarësinë në Boshtin Qendror dhe pjesëmarrjen aktive të Bullgarisë në Fushatën Ballkanike kundër Jugosllavisë e Greqisë. Konkretisht, përmes letrës së përcjellë, qeveria italiane e vë në dijeni qeverinë gjermane se kalimi i Podujevës nën sundimin bullgar do të sjellë probleme e ndoshta edhe konflikte të armatosura mes bullgarëve e shqiptarëve jo vetëm në të gjithë rajonin e Mitrovicës, por edhe mes koalicionit të Boshtit Qendror, pasi sipas tij, shqiptarët tashmë pas 7 Prillit 1939 ndodheshin në një Union të përbashkët me Italinë. Megjithatë, për të zhdukur dyshimet se kjo kërkohej të bëhej vetëm në interes të Italisë, fillimisht propozohet që në të gjitha komunat e Qarkut të Mitrovicës e më gjerë në veri të Kosovës, të krijohet një administratë shqiptare kukull, e kontrolluar nga gjermanët, dhe, nëse nuk mund të bëhej një gjë e tillë, atëherë propozohej që forcat gjermane të pushtimit në të gjithë Kosovën Veriore, të zëvendësohen me trupat ushtarake italiane. Le ta shohim më mirë telegramin në fjalë të datës 28 Mars 1942, për të gjykuar edhe vetë lexuesi rreth përmbajtjes së tij:

I ngarkuari me punë në Ambasadën Gjermane në Romë shkruan: “Sot me ftoi në zyrën e tij Konti Ciano, i cili m’u lut që në emër të qeverisë italiane t’i përcjell menjëherë qeverisë gjermane letrën e mëposhtme, shkruar në gjermanisht, në të cilën thuhet: Pushtimi i një pjese të Serbisë Lindore nga Bullgaria, që me sa duket është bërë me pëlqim të Komandës Supreme Gjermane, ka shkaktuar reagime të mëdha në Shqipëri, sapo u muar vesh se në këtë hapësirë të pushtuar nga bullgarët bën pjesë edhe Podujeva, e cila i përket Qarkut të Mitrovicës. Në këtë Qark thuajse e gjithë popullsia përbëhet nga shqiptarët. Lajmet më të fundit që na vijnë nga Tirana konfirmojnë se këto shqetësime po përhapen me shpejtësi në të gjithë popullsinë shqiptare që jeton jo vetëm në Shqipëri por edhe në ish Jugosllavi. Të gjithë shqiptarët ndjehen shumë të prekur në krenarinë e tyre kombëtare. Sipas pikëpamjes së atyre që e njohin situatën në Kosovë, pushtimi bullgar në këtë hapësirë do të ndeshte në rezistencën e fortë të popullsisë vendase si dhe në reagime të ashpra nga vetë Shqipëria. Ndaj ekziston shqetësimi për shpërthimin e një lufte të vogël, por të rrezikshme mes bullgarëve dhe shqiptarëve……Në këto kushte, është në interesin e përbashkët të Gjermanisë e Italisë që incidente të tilla në këtë zonë të shmangen, gjë që do të thotë se Komuna e Podujevës dhe pjesë të tjera të territorit të Kosovës të mos mbahen të pushtuara nga trupat ushtarake bullgare. Autoritetet gjermane e dinë mirë se për shkak të veçantive gjeografike e politike të territorit të Kosovës, zgjidhja më e mirë do të ishte krijimi i Qarkut të Mitrovicës ( që do të përfshinte jo vetëm rrethin e Mitrovicës, por edhe ato të Vuçiternit, Podujevës dhe Novi Pazar-it) e cila duhet të ketë një administratë të veçantë pro gjermane, që do t’i shërbente interesave të popullit shqiptar… Ndaj ne do të përshëndesnim angazhimin e Qeverisë së Rajhut gjerman për të vazhduar t’i mbajë trupat e saj mbi të gjitha në Podujevë, si dhe në vijën e demarkacionit që përfshin pjesën shqiptare të territorit të Kosovës. Nëse kjo nuk është e mundur, do të ishte mirë që në këto territore, trupat gjermane të zëvendësoheshin sa më parë me forcat ushtarake italiane. Një ndryshim i vijës së demarkacionit në këtë hapësirë territoriale nuk duhet të ndodhë”. Telegrami mbaron këtu, por është interesant, gjithashtu, të përmendet shënimi në vijim i të Ngarkuarit me Punë në Ambasadën Gjermane në Romë, kur thekson se Konti Ciano vuri në dukje se Ai personalisht do ti ishte shumë mirënjohës qeverisë gjermane nëse ajo do të merrte parasysh plotësimin e kësaj dëshire të qeverisë italiane.

Ne nuk disponojmë korrespondencën e mëvonshme rreth kësaj çështje, por dihet se forcat gjermane të pushtimit, nuk e lëshuan Qarkun e Mitrovicës, deri në largimin e tyre përfundimtar nga Ballkani në fund të vitit 1944. Ndërkaq, në Krahinën e Podujevës, ato, pra forcat gjermane, dubluan për një farë kohe forcat ushtarake bullgare. Dëshira e madhe e qeverisë italiane për të shtënë ajo në dorë Qarkun e Mitrovicës, nuk u realizua. Aq më tepër që një vit me vonë, në fillim të shtatorit 1943, ushtria italiane do të kapitullonte.

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!