Bumi turistik në Shqipëri është shoqëruar edhe me rritjen e interesit të të huajve për të blerë pasuri të paluajtshme. Sipas ekspertes së pasurive të paluajtshme Armela Spahiu, të huajt janë të fokusuar kryesisht për apartamente në zonat bregdetare, por ka dhe shumë që duan të investojnë në kryeqytet.
“Të huajt pasi kanë vizituar Shqipërinë, kërkojnë të investojnë në Shqipëri, kërkojnë të blejnë apartamente për investime dhe në zonën e bregdetit për t’u akomoduar.”
Sipas ekspertes, të huajt që blejnë janë kryesisht nga vendet europiane, por nuk kanë munguar as ata nga vende më të largëta si Izraeli po Amerika.
“Ka rusë, ukrainas, francezë, anglezë…Javës tjetër ne presim klientë nga Izraeli, të cilët na kanë shkruar, kemi mbyllur gjithçka dhe kërkojnë të marrin apartament në Shqipëri.”
Ndërkohë që në rritje është dhe interesi i emigrantëve për të investuar në pasuri të paluajtshme.
“Edhe shumë emigrantë shqiptarë të cilët udhëtojnë në vendet e huaja, janë kthyer në Shqipëri dhe kërkesa për të blerë një apartament apo për t’ia bërë dhuratë familjarëve, ka pasur shumë kërkesa.”
Ekspertja thekson se pavarësisht kërkesave në rritje, ka një ‘ngërç’ në shitje për shkak të rivlerësimit që pritet të miratohet.
“Vera e kaluar me këtë vit ka pasur një ngërç të vogël dhe presim një stabilizim të çmimeve.”
Sektori i ndërtimit vitet e fundit ka marrë një hov të madh, ndërkohë që investimet dhe ndërtimet e reja po shtohen në të gjitha zonat bregdetare.