MENU
klinika

Emrat favoritë

Gara për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë/ Ministri Hoxha çon listën kryeministrit

25.09.2024 - 12:36

Komisioni Vlerësues Ad-Hoc për graën e hapur për zgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut, po zhvillon sot seancën e dëgjesës dhe intervistimin e 11 kandidatëve të mbetur në konkurrim, pas eliminimit të 4 të parëve nga gara më 23 Shtator. Kjo dëgjesë po bëhet në Ministrinë e Brendshme dhe shoqëron fazën e selektimit, verifikimit, intervistimit dhe testimit të kandidatëve aspirues për postin më të lartë të gradës Drejtues Madhor. Procesi dhe intervistomi monitorohet gjithashtu nga faktori ndërkombëtar dhe Ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

Kandidatët po intervistohen sipas rendit alfabetik, ku secili për emrave ka në dispozicion 30 minuta për të dhënë shpjegime mbi pyetjet që ngrihen në disa shtylla. Ky proces pritet të përfundojë sot në orën 15:00 dhe më pas Komisioni t’i dorëzojë vlerësimin me sistemin e pikëve renditjen e listës së emrave të 11 kandidatëve. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, do e paraqesi listën me emrat më të pikëzuar ditën e premte tek Kryeministri Edi Rama, kurse shpallja apo përzgjedhja e drejtorit të ri të përgjithshëm pritet të shpallet pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ditën e mërkurë.

Gara zhvillohet mbështetur në ligjin e ri për Policinë e Shtetit. Kriteret janë disa, si karriera jo më pak se 10 vite punë, 5 vitet e fundit ushtrim detyrë pa ndërprerje (kriter që skualifikoi edhe Shemsi Premçin), grada, eksperienca, lidhjet, precedentët e mundshëm dhe sigurisht procesi i Vettingut.

Kandidatët e favorizuar deri tani sipas karrierës dhe gradës shihen Rebani Jaupi, Ardian Çipa, Pëllumb Seferi, Idajet Faskaj, Skënder Hitaj dhe Ilir Proda, por mund të jetë edhe një emër surprizë.

Brenda kësaj jave, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, deklaroi në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë të hënën, se do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kandidatin për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN