MENU
klinika

Përfundoi në burgun famëkeq të Burrelit! Familjarët s’i dinin as varrin

Historia e panjohur e ish-kryetarit të Parlamentit të parë shqiptar

16.09.2024 - 14:07

Ndër intelektualët e shquar fetarë e atdhetarë, renditet pa dyshim edhe Xhemal Naipi, i cili për disa dekada, që nga shpallja e Pavarësisë e, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, ishte ndër protagonistët e këtyre ngjarjeve në shkallë kombëtare. Xhemal Naipi lindi në vitin 1887, në qytetin e Shkodrës, në një familje të vjetër e të njohur qytetare, e përmendur për ushtrimin e detyrës së kadive (gjyqtarëve). Arsimin fillor e të mesëm e mori në vendlindje, kurse studimet e larta, i ndoqi dhe i përfundoi në Stamboll në dy degë, në teologji e në jurisprudencë, të vlerësuara për kohën dhe në vijimësi të traditës familjare.

Kujtesa popullore ka ruajtur e përcjellë se Xhemali, gjatë jetës shkollore si nxënës e student, ka qenë gjithnjë ndër më të dalluarit, ndër ata që kanë nderuar veten e vendin, që kanë mësuar në mënyrë sistematike, që kanë pasur etje të vazhdueshme për dije, për kulturë të përgjithshme, për edukatë fetare e për përgatitje profesionale.

Jeta studentore i ka dhënë mundësi për të qenë në kontakt jo vetëm me mjediset universitare, me bibliotekat e pasura, me monumentet e përmendura arkitektonike, artistike e historike të Perandorisë Osmane, por edhe me shoqëritë atdhetare e kulturore shqiptare të mërgimit, si dhe me kulturën e lindjes e të perëndimit, që përjetoheshin në Stamboll, që së bashku ndikuan në formimin e tij të përgjithshëm.

Intelektuali i ri u pajis me kulturë të gjithanshme, me horizont të gjerë, me gjuhë të huaja të shumta, si; osmanisht, arabisht, frëngjisht e italisht, me mentalitet progresiv, me vizion të qartë për punën, si specialist i lartë.

Pas përfundimit të studimeve, Xhemal Naipi qe një kuadër i mirëpritur në atdhe, ku bëri një karrierë të suksesshme, duke kryer detyra të rëndësishme fetare e shtetërore. Ai ka qenë kadi, (gjyqtar), kryetar komisioni i arsimit për Shkodrën, myfti, drejtor i përgjithshëm i Vakëfeve, (Komiteti i Kulteve), senator, deputet, një nga pjesëmarrësit kryesorë të Lëvizjes së Legalitetit, aktivist në shoqata kulturore, etj.