Lirimi me kusht nga burgu i Fredi Beleri është pasqyruar edhe në mediat në Greqi, të cilat shkruajnë se tashmë eurodeputeti do të kryerje pa asnjë pengesë detyrat e tij në Parlamentin Evropian.
“Kërkesa e eurodeputetit të Demokracisë së Re, Fredi Beleri, për lirimin nga burgu është pranuar sot.
Eurodeputeti i Demokracisë së Re, i cili qëndroi në burg për 16 muaj, kishte bërë kërkesën përkatëse që në korrikun e kaluar ashtu siç i takon sipas ligjit shqiptar pasi kishte kryer 2/3 e dënimit.
Pas këtij vendimi Fredi Beleri do të mund të kryejë pa ndërprerje detyrat e tij në Parlamentin Evropian”, shkruan Protothema.
Rrugëtimi i Fredi Beleri në burg
Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të fundit lokale në Shqipëri me akuzën e blerjes së votave, u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi ndaj tij u konfirmua në Apel.
Edhe pse i arrestuar Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë në maj 2023 dhe qe kryetar i zgjedhur i bashkisë deri në korrik 2024, kur pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve e shpalli mandatin e tij të pavlefshëm.
Për shkak të arrestimit Beleri nuk kreu dot betimin si kryebashkiak dhe gjykata refuzoi ta lejonte atë të merrte mandatin.
Gjatë kohës që Beleri përballej me akuza në Shqipëri ai mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis e kandidoi në listën e saj për deputetë të Parlamentit Europian. Beleri u shpall fitues, ndërsa ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Shqipëri.