Dan Hutra, njeriu i cili 1 vit më parë tronditi Tiranën me vrasjen e tre grave dhe plagosjen e 3 të tjerave, është marrë i pandehur nga prokuroria e kryeqytetit për 8 akuza të rënda. Prokurori i çështjes Enklid Gjini, ka vendosur të mbyllë veprimet hetimore ndaj personit të arrestuar Ramadan Hutra alias (Dan), duke e njoftuar në burg këtë të fundit për marrjen të pandehur si autor i 8 veprave të rënda penale. Tashmë çështja kundër Dan Hutrës është në fazën e gjykimit në seancë paraprake dhe pritet që dosja ti nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor, ku Hutra, rrezikon dënimin e tij me burg të përjetshëm.
Sipas dosjes hetimore Dan Hutra, autori i vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave u arrestua rreth orës 18:45 të datës 1 Marës 2023. Pas identifikimit të tij nga pyetja e të plagosurve, dëshmitarëve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, ai u lokalizua dhe u prangos në afërsi të landfillit të Sharrës, ku po përgatitej të kryente një tjetër vrasje. Me vete kishte edhe armën kallashnikov, me të cilat mori tre jetë dhe rrezikoi seriozisht tre të tjera. Sipas dosjes hetimore, plagosja e Marjana Gurakuqit në zonën e “Astirit”, vrasja e dyfishte në “Bathore” dhe vrasja e Etleva Kurtit në “Kodër Kamëz” janë kryer në një hark kohor prej 33 minutash.
Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori u largua me automjetin tip “Benz” me targa “AA 531 UK”, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij. Në oborrin e shtëpisë Dan Hutra plagosi me armë zjarri Elena Hysa, 35 vjeçe dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe dhe vrau shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafkun 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).
Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe. Vrasjet dhe plagosjet, Dan Hutra i kreu vetëm 12 ditë pasi kishte dalë nga burgu në 16 shkurt 2023, pasi ishte arrestuar për akuzën e “Dhunës në familje” ndaj gruas së tij, Elena Hysa.
Për të trija ngjarjet e ndodhura në 1 Mars 2023, Dan Hutra, ka dhënë motive të ndryshme që e kanë shtyrë për të ekzekutuar gratë. Për tentativën e vrasjes së gruas Elena Hysa, ai ka treguar se shkak ishte bërë debate për ADN-në e fëmijës së tyre.
Akuzat e prokurorisë
Vrasja me paramendim ndaj Etleva Kurtit
Vrasja për shkak të marrëdhënies familjare në dëm të Mevlute Hysa
Vrasja për shkak të marrëdhënies familjare në dëm të Hasime Dafkut
Vrasja për shkak të marrëdhënies familjare mbetur në tentativë në dëm të Elena Hysa.
Vrasja për shkak të marrëdhënies familjare mbetur në tentativë në dëm të Kujtime Hysa.
Vrasja me paramendim mbetur në tentativë ndaj Marjana Gurakuqit
Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit dhe municionit
Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen në dëm të Rrahman Selës në Vaqar.