MENU
klinika

“Sjelljet agresive të opozitës do shtohen me afrimin e zgjedhjeve”

Minxhozi zbulon detajet: Tabaku nuk u rikthye në PD..

02.09.2024 - 18:15

Analisti Skënder Minxhozi, duke komentuar nisjen e sesionit të ri parlamentar, tha se është për të ardhur keq për sjelljen e opozitës. Në një intervistë për një emision televiziv analisti u shpreh se sjelljet agresive nga opozita do të shtohen me afrimin e zgjedhjeve vitin e ardhshëm.

“Është sjellje për të ardhur keq, një pamje e padenjë e përsëritur dhe e kthyer në një shfaqje endemike, historike, tashmë sepse në kuvend shpesh nuk bëhet politikë, nuk diskutohen dhe debatohen ligje kalohen me një lehtësi befasuese në 30 sekonda. Ngrihet dora dhe kartonat, konsumojmë fare pak kohë. Pjesa më e madhe e kohës i mbetet sherrit dhe kjo ul rentavilitetin e atij organi që duhet të merret me organizimin e jetës së shqiptarëve, ekonominë dhe të ardhmen e vendit. Kjo e bën parlamentin një pazar të gjësë së gjallë, një shëmti e madhe, ku sillen në mënyrë të padenjë për postin që kanë. Pres që të jetë dhe doza e këtyre fenomeneve negative veçse do të mund të rritet në bazë të parimit që sa më shumë t’i afrohemi zgjedhjeve aq më shumë zhurmë duhet të bëjmë.”, u shpreh Minxhozi.

Duke u ndalur te zhvillimet në PS dhe mbledhjet që po mbahen, analisti tha se kjo parti ka treguar gjithmonë se është më e organizuar. Një koment pati edhe për rikthimin e Jorida Tabakut në PD.

“PS është shquar gjithmonë për një sens më të madh organizimi. Sot lajmi më i madh në kampin tjetër është nëse Tabaku është me Berishën apo kundër Berishës dhe në grup. Nuk u kthye në selinë e PD por te personi që bën listat të gjithë personat që afrohen sot në parti, afrohen te personi që bën listat se dhe kompromisi i fundit e rikonfirmoi, janë ata që do të bëjnë listat. Për tu kthyer te sjellja e PS ndaj zgjedhjeve, është më serioze në organizim dhe për pasojë edhe zgjedhjet e ardshme i merr sipas një skeme organizimi të caktuar. Është partia më e madhe politike në historinë e pluralizmit se ka marrë më shumë vota, prandaj organizimet e Ramës duhen parë në optikën e atij angazhimi të butë që bie në këtë parti sa herë afrohet një fushatë zgjedhore në mënyrë që kjo forcë politike të jetë më e organizuar se kundërshtari, që përtej akuzave, blerjes së votave, është e vërtetë që PS ka qenë organizatë politike më e organizuar se çdo parti tjetër që garonte me të në zgjedhje.”, shtoi Minxhozi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Berisha kërcënime boshe, nuk ka mbështetje popullore"

Federatë opozitare? Minxhozi: Një komedi