MENU
klinika

“Ekspertët amerikanë po ndihmojnë prokurorët shqiptarë për…“

Ngjela: Këtë muaj priten goditje të mëdha nga SPAK

02.09.2024 - 10:41

Avokati dhe analisti i njohur, Spartak Ngjela shpesh komenton mbi zhvillimet politike dhe juridike në Shqipëri. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, ai paralajmëron se priten goditje të mëdha nga SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion) dhe thekson se ekspertët amerikanë janë duke ndihmuar prokurorët shqiptarë në ndihmën e hetimeve për dosjet e rëndësishme që përfshijnë figura të larta politike si Ilir Meta dhe Sali Berisha, si dhe të tjera të përfshirë në skandale korruptive.

Sipas Ngjelës, ndihma e ekspertëve amerikanë për të “qepur” dosjet sugjeron një bashkëpunim ndërkombëtar të rëndësishëm që synon të forcojë luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Ky bashkëpunim mund të përfshijë analiza të thella financiare, mbështetje teknike dhe këshilla strategjike për të ndihmuar në ndriçimin e rasteve komplekse dhe për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm. Nuk është e pazakontë që përpjekjet e luftës kundër korrupsionit të përfshijnë ndihmën e ekspertëve të huaj, veçanërisht në raste që përfshijnë figura të fuqishme dhe të mbrojtura politikisht. Nëse këto informacionet e Ngjelës janë të sakta, kjo mund të sinjalizojë një fazë të re dhe më të fortë të ndjekjes ligjore në Shqipëri, e cila mund të ketë ndikim të rëndësishëm në politikën dhe sistemin juridik të vendit.

-Avokat Ngjela, si e vlerësoni qasjen aktuale të qeverisë në luftën kundër korrupsionit? A mendoni se ka pasur përmirësime të dukshme në këtë fushë? Si e vlerësoni performancën e SPAK deri më tani?

Duhet të pranojmë një gjë që ta dimë të gjithë se luftën kundër korrupsionit nuk e ka qeveria në dorë. Qeveria kishte në dorë dhe ishte pozitive derisa formoi SPAK-un, pasi po të donte në Parlament nuk e miratonte. Por ishte dhe kërkesa e prerë e amerikanëve. Tani SPAK-u ka dalë dhe kryeministri nuk ka asnjë punë me SPAK-un, se çfarë thonë këta gënjejnë. SPAK-un e drejton Uashingtoni. Çfarë do të bëhet?

Deri tani kanë ecur, një ish-kryeministër, njeriu më negativ për Shqipërinë është në burg, tre-katër ministra janë të akuzuar, disa kryetar bashkie janë në akuzë dhe të dënuar. Nuk ka qenë shumë e lehtë për prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK që të vinin dorë te korrupsioni pasi ky i fundit të godet. Ndërkombëtarët që kam pyetur unë para dy vitesh më thanë se kanë dy arsye që ka dhe të korruptuar por kryesorja janë se janë të trembur pasi i ka kërcënuar korrupsioni. Por tani duket sikur ka ndryshuar diçka e të shikojmë shtatorin pasi pritet lëvizje më e shpejtë dhe më cilësore e goditjes nga SPAK-u.

-A besoni se janë të nevojshme reforma të tjera për të përmirësuar luftën kundër korrupsionit në Shqipëri? Nëse po, cilat janë ato?

Duhet të ketë një reformë më të gjerë. Korrupsioni nuk goditet vetëm me goditje penale, por duhet të dalin ligje të tjera anësore, që nuk mund të lirojnë atë pronë që kanë ata të krijojë shtratin e vetë korruptiv në funksion të pushtetit politik. Këto ligje nuk kanë dalë, vërtetë ne themi se ka korrupsion por akoma nuk e kemi të qartë se korrupsioni ka vënë emra fiktiv në pronësinë e parave që kanë ardhur nga korrupsioni. Kjo është detyrë e SPAK-ut por më shumë është e Shërbimit Sekret. Fakti që këtë luftë anti-korrupsion e ka marrë dhe ka dhënë ndihmë të madhe FBI-ja dhe ekspertiza amerikane, mendoj se në shtator SPAK do të ketë një lëvizje dhe më cilësore.

-Ju keni deklaruara se si e komentoni marrëveshjen e përfolur Rama-Berisha? A ka ndonjë ndikim të rëndësishëm në situatën politike dhe në luftën kundër korrupsionit? Pse ata janë bashkë…

Nuk kanë marrëveshje por jemi përballë këtij fenomeni që Berisha ka PD dhe konkurrenti kryesor për t’i marrë pushtetin Ramës është PD. Por PD nuk vjen kurrë në pushtet po të jetë Saliu në krye të saj. Ndërsa Rama i luan të gjitha gurët që Saliu të jetë në krye të saj por jo se është me Saliun. Rama është kundër PD. Rama e ka thënë sa të jetë Saliu në krye të PD, unë e kam fitoren pasi Saliu nuk ka vota. Mirëpo edhe Saliu nuk rri pa arsye pasi ka interesat e tija. Në këtë gjendje jemi por të tëra këto eliminohen dhe shkojnë në fund vetëm nga SPAK-u.

-Çfarë mund të na thoni për hetimet e SPAK-ut ndaj Ilir Metës dhe Sali Berishës? Si e shihni progresin e këtyre hetimeve dhe çfarë rezultate mund të pritet?

Jemi akoma në hetim dhe nuk kanë shkuar në gjyq. Fakti që jemi në hetime, nuk dimë se ku shkojnë dhe se çfarë akuzash kanë, sepse akuza është sekret dhe e di vetëm avokati dhe ai i cili ishte akuzuar se nuk kemi dalë në gjyq që të bëhet publike. Megjithatë janë gjithë ato të dhëna që janë thënë por nuk mund të flasim në një provë që nuk kemi prova por a është akuzuar Saliu për krime të tjera apo jo, këtë do ta shohim hap pas hapi në vijim në proceset gjyqësore që do të vijnë.

-A besoni se ka ndonjë ndikim të politikës në mënyrën se si SPAK-u po heton individë të tillë si Ilir Meta dhe Sali Berisha? Si mund të sigurohet një proces i drejtë dhe transparent?

SPAK-u e ka në dorë apo nuk e kontrollon dot njeri. Në SPAK nuk hy dot njeri, këtë ua garantoj unë profesionalisht pasi kam bërë gjyqe në SPAK. Brenda në SPAK ka ekspertë të huaj amerikan të trajnojnë dhe ndihmojnë në dosje duhen hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

-Si mund të rritet transparenca dhe besueshmëria e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri për të ndihmuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistem?

Është shumë e vështirë. Jashtë SPAK-ut është një lukuni korruptive që nuk di sesi do të ec. Ka aftësi mendore kjo qeveri që të nxjerr një ligj, të rregullojë ligjet në funksion të pushtetit gjyqësor, deri tani nuk kemi parë gjë. Nuk bëhet asgjë pa ligj. Ligji duhet të ketë përmisim anti-korrupsion, deri tani nuk kemi parë gjë. Shtypi duhet të ngrihet dhe të pyes qeverinë se ku janë bërë ligjet për anti-korrupsion për korrupsionin tjetër. Janë bërë ligjet anti-korrupsion dhe për Prokurorinë dhe Gjykatën. Janë Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme, nuk kanë lidhje me këto të tjerat. Ashtu siç është bërë Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme, duhet të bëhet dhe pjesa tjetër e drejtësisë.