MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Një sqarim për meraklinjtë e unitetit fetar të shqiptarëve

26.09.2024 - 11:17

Le të vëmë pikën mbi i që në fillim: Shqiptarët nuk bashkëjetojnë me fetë se janë tolerantë, por thjesht se janë jobesimtarë. Ndërrimi i feve në shumicën e popullsisë, më shumë sesa vegime hyjnore ka lidhje me leverditë ekonomike. Kjo e shpjegon kthimin në myslimanë në kohën e otomanëve e tani vonë në ortodoksë kur shkuan në Greqi.

Përjashto katolikët që kishin një kler më të rafinuar e shkolluar e që përpiqej t’i përshtatej e mbante grigjën e tyre në vathë, të tjerët e kapërcenin gardhin sa herë u vinte për mbarë. Kaq mjafton që meraklinjve se mos ky komb do përçahet, të qetësohen.

Ka një shqetësim se mos pas bektashinjve, e kërkojnë shtetin e tyre edhe katolikët dhe ortodoksët.

Le të sjellim pak histori.

Të parët, katolikët, njohin vetëm Vatikanin dhe Papën si qendër të tyre dhe këtë e kanë mbrojtur dhe e mbrojnë edhe me jetën e tyre. Mjaftojnë dy shembuj: Me ardhjen e komunistëve në fuqi, Enver Hoxha u përpoq të krijonte një kishë katolike shqiptare, jashtë ndikimit të Vatikanit. Asnjë prelat i saj nuk pranoi dhe disa prej tyre zgjodhën vdekjen para tradhtisë që duhej t’i bënin kishës së Shën Pjetrit. Ky është edhe një ndër shkaqet e tërbimit të mëvonshëm komunist mbi disa prelatë.

Kina komuniste ka tentuar të krijojë kishën patriotike. Disa priftërinj për të shmangur persekutimin dhe kampet e punës kanë pranuar, por kjo kishë mund të jetë çfarëdo, por jo katolike e njohur nga Vatikani.

Vijmë tek ortodoksët. Ata e kanë kishën e tyre kombëtare. Është Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë me udhëheqës fortlumturimë e tij Janullatos, të bërë së fundmi shqiptar me pasaportë të dhënë nga fortshkelqësia e tij Ilir Meta. As ka kërkuar kjo kishë të bashkohet me Greqinë pavarësisht se fortlumturia e tij Anastas më shumë ka hallin e vorio-epirotëve sesa të grigjës së tij.

Kisha ortodokse ka një histori të saj me një patriarkanë të vendosur në Stamboll dhe kisha bijë autoqefale. Në të vërtetë kjo patriarkanë është pak si shumë greke për shijet e të tjerëve. E megjithatë shqiptarët nuk u përçanë kur kisha jonë mori autoqefalinë në kohën e mbretit Zog, e as e shet dot sot, megjithëse cave aty ua do shpirti.

Sa u takon sunitëve, këta kanë problem pse dikush u shkëputet pasi e konsiderojnë veten fe universale, por në fakt janë një mjet në duart e Erdoganit dhe sauditëve për të zotëruar vendet ku popullsia beson në islam dhe janë në konkurrencë me Iranin shiit që pretendon edhe ai zotërimin.

Protestantët vështirë se kërkojnë një qendër apo komandë pasi janë shumë pak, nuk kanë traditë në territorin shqiptar dhe mbi të gjitha kanë lindur si një protestë ndaj luksit të Kishës Katolike, përqendrimit të saj në duart e Papës dhe nuk kanë një qendër askund (përveç vendeve si Anglia ku kisha quhet pikërisht anglikane dhe shefi suprem është mbreti) që protestantët ta kërkojnë qendrën në Shqipëri.

Sa i takon bektashizmit, ky është një degë e shiias. Ka një traditë shumëshekullore dhe fakti i ardhjes në Shqipëri ka një kronologji me ikjen nga Turqia dhe ardhjen ne Shqipëri që i jep legjitimitet.

Kështu që le të qetësohen shqiptarët që nuk dinë një falje të plotë në gjuhën e fesë që mendojnë se i përkasin, por kanë frikë se mos ky vend përçahet apo një fe merr revansh kundër tjetrës vetëm pse statusi ligjor i Kryegjyshatës ndryshon. Kryegjyshata e meriton një ekstraterritorialitet si çdo ambasadë e çdo shteti në Tiranë dhe një status, meqë për fat ka edhe qendrën e një sekti që tashmë është brand shqiptar. Lëreni Iranin, Turqinë dhe Arabinë Saudite t’i hajë meraku. Atyre po, që u ikën nga duart një mjet përçarjeje dhe influence mbi shqiptarët.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin

Gjesti simbolik për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani

Fotolajm/ Hidhet bojë e kuqe mbi fëmijët dhe në rrugë