MENU
klinika

“Ti më vrit Dorian Dulin,unë ju vras Arben Ndokën e…“

Pakti i fshehtë në “Sky” mes Behar Bajrit dhe Bamit

08.09.2024 - 10:05

Behar Bajri, sapo kishte dalë nga burgu i kishte vënë vetes detyrë të posaçme, të vriste me çdo kusht, Dorian Dulin, një personazh të botës së krimit në Shkodër, tek i cili Bajri gjatë kohës kur ishte në burg kishte mbetur 20 mijë euro borxh dhe nuk kishte pranuar t’ia kthente.
Bajri, kishte kontraktuar disa njerëz duke përfshirë dhe “Leksin e Druve” në Lezhë, Nuredin Dumanin në Kosovë, por çuditërisht të gjithë njerëzit që kishte afruar Bajri, ndruheshin të godisni Dulin, për shkak edhe të aftësive të tij të shpejta për të reaguar me armë.

Mosgjetja e vendodhjes së tij dhe frika se mos vallë gjatë sulmit mbi Dorian Dulin do ngelnin vetë të vrarë, kishte stepur njerëzit që afronte për gjuajtje Behar Bajri, megjithëse ai ishte i gatshëm të jepte deri në 200 mijë apo 500 mijë euro.
Nisur nga kjo situatë, Behar Bajri komunikon në “Sky” me Durim Bamin një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Nikël, duke i kërkuar këtij të fundit një pakt të fshehtë. Plani ishte që të kryheshin vrasje me këmbim.

Duke ditur problemin që Durim Bami dhe Marklen Haka kishin konflikt të hapur me ish-deputetin e PS, Arben Ndoka, i cili kërkonte ti qëllonte, Behar Bajri i ofron një pakt Durim Bamit, ku ai të vriste për llogari të Bajrit, Dorian Dulin.
Ndërsa si këmbim Behar Bajri do vriste në Lezhë ish-deputetin Arben Ndoka dhe në Shkodër Jozi Krajën, për llogari të Durim Bamit dhe Marklen Hakës.

Një marëveshje kjo e ndërthurur mes intrigave kriminale pasi vetë Behar Bajri, në të njëjtën kohë flet në “Sky” me Arben Ndokën, ku ky i fundit i kërkon ndihmë për të vrarë, Durim Bamin.
Behar Brajoviq alias Bajri ka kontaktuar me Durim Bamin dhe e ka ftuar këtë fundit në banesën e tij në Shkodër.Mbas kësaj bisede që Behar Brajoviq ka kryer me Durim Bami ai ka kontaktuar Arben Ndoka dhe i ka treguar që:

“…nëse vjen Durim Bami në Shkodër tek unë a je gati që t’i grijmë dhe Arben Ndoka është dakordësuar. Behar Brajoviq i shprehet gjithashtu që nëse ai (Durim Bami) shkon ta takojë është i vdekur në Shkodër…”.
Por nga ana tjetër mes shumë bisedave, Durim Bami, e josh Behar Bajrin duke i thënë se një personazh shumë i fuqishëm në Tiranë, kërkon ta godasë Bajrin, përmes grupit të vlonjatëve që udhëhiqen nga Fatmir Hyseni që njihet ndryshe me nofkën “Doçja”.

Behari, kërkon të dijë më shumë se kush është personi që kërkon kokën e tij në Tiranë, por Durim Bami i shprehet s’mund ti tregojë pasi ai personi, e ka në dorë pasi i di disa gjëra dhe i bën dëm pastaj.
“…kush asht si të paska në dorë…?Se mua nuk më ka në dorë kush, përveç Allahut. Se ne në dorë na ka veç zoti, se dhe mu më dinë shumë Gjana por nuk më ka në dorë kush…”-i thotë Behar Bajri, Durim Bamit.
Më tej ky i fundit interesohet se kush person e ka gjuajtur në atentatin e 5 nëntorit 2020 në Tapizë, ku Bami u tentua të vritet.

Por Behar Bajri ia kthen:”…o vlla Visi nuk të ka gjujt dhe për këtë ta bëj be unë, se e kam fut në be. Dhe i kam thanë me mendu për të ma mirë me vraj mu se me më pre në besë. Se jo Visin por dhe vllanë e vras. Por i kam thanë Tomës, nëse don me prishë punë i tham Visit dhe nuk jam ma se nuk du i thashë pa besina. Se dhe Visi u habit, si me mendua ai për mu…”.
Ndërsa Bami ia kthen:”…jo nuk kam mendu ke Visi këtë herë, pavarësisht që më kanë thanë: ”…ta ka bo Visi…”. Po unë e di që është Beni e sigurt…”.

Në vazhdim Behar Bajri ia kthen se: ”…por ai (Visi) lek nuk jep e ka gjarprin në xhep. Atë herë unë kam dasht me të afru afër me të për interes tanve. Unë 4 muaj kam që ri me të…Aj Nardi më ka dhan 10 miljon euro veç ma vraj. Ndërsa 2 milion euro ma ban vetëm heksin më ka thanë, por me të than të drejtën nuk i du ato lek se kam fëmijë me rrit dhe nuk jam për atë punë…”.
Më tej Behar Bajri i shkruan duke I dhënë një informacion Durim Bamit, të cilit i thotë:”…o vëlla a don me ditë kush ta ka vra hadhën e Mariglenit, se ka gjujt me dorë të tij…Madje do të gjuajnë dhe ty…”.

“…po hë pra më thuaj…”-i thotë Bami. Ndërsa Behar Bajri ia kthen se:”…ma thuaj ti para dhe më bëj be se nuk ma the për intrig dhe ma thuaj emrin e atij si keka interesum për mua, atë herë po ta them dhe unë…dhe është i betum me të vra…nji për nji e kena. Sa di unë për ty, ti nuk e din kurrë…Jozi asht ai…ndaq thuji dhe Mariglenit, bile ta jap të gjallë…”.