MENU
klinika

Tërmet politik në lindje të Gjermanisë

Partia e ekstremit të djathtë AfD siguron fitoren historike

02.09.2024 - 08:58

Partia e kategorizuar si ekstremiste e djathtë, AfD fitoi në landin Tyringi, kurse në Saksoni u rendit e dyta. Partitë populiste dalin të forcuara nga zgjedhjet në dy landet gjermane Saksoni dhe Tyringi.

(E akt.)Partia e djathtë ekstreme gjermane, Alternativa për Gjermaninë, AfD sipas rezultateve paraprake ka dalë fituese në zgjedhjet për parlamentin e landit në Tyringi me 32,8% të votave pasur nga CDU me 23,6 % të votave. Në Saksoni CDU me kryeministrin Michael Kretschmer arrin të fitojë zgjedhjet e landit me 31,9% të votave, sipas rezultateve paraprake.

Ajo dëshiron të formojë qeverinë aty. Bashkë-kryetari i partisë, Tino Chrupalla, tha në kanalin televiziv gjerman ZDF, se fitorja e AfD-së është një “mandat i qartë” për të formuar qeverinë. “Kjo është ajo çka e bën demokracinë,” shtoi ai.

Chrupalla gjithashtu deklaroi se partia e tij është e gatshme të bisedojë me të gjitha partitë e tjera. “Për ata që duan të jenë të besueshëm në politikë… dhe duan të marrin në konsideratë zërin e votuesve, nuk do të ketë më politikë pa AfD-në,” tha ai.

Formimi i një qeverie si në Tyringi, ashtu edhe në Saksoni, pritet të jetë i vështirë. Deri tani të gjitha partitë e tjera kanë thënë se nuk duan të bashkëpunojnë me AfD. Një parti që ndoshta mund të ketë shans të hyjë në qeverisje është Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW)e cila në të dy landet ka dalë e treta dhe me një rezultat dyshifror.

Test për zgjedhjet federale në vitin 2025

Partitë e koalicionit të qendrës së majtë të kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz në zgjedhjet e Saksonisë dhe Tyringisë dolën të dobësuara. Socialdemokratët mbetën në nivel njëshifror në të dy landet. Të Gjelbrit dhe liberalët (FDP) kanë pësuar humbje drastike në të dy landet, megjithëse në Saksoni ata mbeten ende në parlament, kurse në Tyringi nuk e kanë kapur dot pragun e nevojshëm prej pesë për qind.

Zgjedhjet parlamentare në Saksoni dhe Tyringi, si edhe në landin tjetër gjermnolindor, Brandenburg (më 22 shtator) konsideroheshin si test për zgjedhjet e ardhshme për parlamentin federal, në vitin 2025./DW