Ndryshimet në buxhetin e vitit 2024 kanë hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Ashtu siç deklaroi dhe Ministri i Financave më herët, si rezultat i performancës pozitive në realizimin e të ardhurave buxheti për vitin 2024 u rrit me rreth 27 miliardë lekë. Referuar tabelave që shoqërojnë ndryshimet, në buxhet, fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 4.137 milionë lekë dhe bonusi i pensionistëve 3.650 milionë lekë. Ky fond ndahet midis skemave, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave. Në lidhje me këtë zhvillim, ka folur eksperti i njohur i ekonomisë Kujtim Hoxha, i cili gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ka sqaruar se si do të ndodhë shpërndarja për 705-mijë pensionistë.
-Zoti Hoxha, qeveria miratoi ndryshimin e buxhetit për 2024-ën me vetëm 4.1 miliardë lekë. A mendoni se kjo shifër është e mjaftueshme për mbulimin e nevojave për 705-mijë pensionistë?
Në lidhje me ndryshimin e buxhetit për vitin në vazhdim, duke krahasuar me shifrën e buxhetit të miratuar në fillim vit që qeveria ka miratuar 3.9 miliardë lekë të rinj për indeksimin dhe rreth 3.1 miliardë për shpërblimin e fund vitit. Këtë janë të miratuara në fillim të vitit. Unë shpresoja se do të kishte një ndryshim thelbësor në lidhje me shtesën që do t’i bëhet buxhetit të shtetit për zërin e Sigurimeve Shoqërore, pra për indeksimin ose rritje. Gjë e cila nga 27 mld lekë të rinj që u miratuar dhe u nda sipas dikastereve ku 500 mln ishin për subvencionet dhe mbështetjen e bujqësisë. Rreth 2.1 mld lekë për ministrinë e Brendshme, kryesisht për mbështetjen e policisë për orët shtesë që kanë kryer jashtë kohës normale dhe me mbështetjen që bëhet për ushqimin. Kjo ishte detyrim ligjor pasi nuk ka të bëj se iu ndryshua gjë Policisë por për punën që nuk paguaj, kanë gjetur fonde që t’i paguajë. Kjo ishte ideja e ministrisë së Brendshme. Ndërkohë për pensionistët një shtesë rreth 4 mld lekë do të shkojnë për rritjen e pensione e cila nëse do të realizohet në masën e 1 Tetorit, këtu mund të ketë edhe rritje pasi për këtë masë duhet të shprehet qeveria. Mbi masën e normës së inflacionit dhe nëse ka ndonjë rritje ose jo, kjo është ideja në lidhje me rritjen e pensioneve.
Unë do të gjykoja se nëse në fillim të vitit, shtesat që i bëhej pensioneve ishte në masën 480 lekë për 705.000 pensionistë, me këtë shtesë që i bëhet, shtohen edhe kaq të tjera. Fondi që do të jetë në dispozicion të Sigurimeve Shoqërore dhe të mbuloj indeksimet, do të shtohet edhe një 500 lekëshe tjetër. E thënë ndryshe, nëse do të jetë në këtë masë që do ta nxjerr vendimin qeveria për t’u zbatuar, i bie që nga 1 Tetori mesatarisht, pensionistëve do t’ju rritet pensioni edhe në vazhdim. Mesatarisht për gjithë vitin është kështu, ku normalisht kjo masë duhej të niste që në fillim të vitit, nga 1 Janari-31 Dhjetor 2024, me një rritje prej 1000 lekë. Ndërkohë, meqenëse kanë mbetur këto tre muajt e fundit, i bie që kjo shtesë e pensioneve do të jetë e barabartë me 3820 lekë të rinj mesatarisht. Por nëse këtë shifër do ta jap si shtesë të pensioneve e cila do të jetë vazhdimisht, i rritur edhe në periudhat e ardhshme, nuk do të ishte keq kjo shtesë e pensionit. Por nëse do e jepnin në formë të bonusit, e shprehur në vlerë absolute, siç ka aplikuar edhe vitet tjera me 5000 lekë apo 10000 lekë të rinj, nuk do te sjell ndikim në rritjen e pensioneve pasi është rritje momentale dhe jo edhe për vitet e ardhme. Kjo do të jetë problemi në lidhje me indeksimin e pensioneve, sepse e parë në këtë këndvështrim, indeksimi vijon të mbetet pjesë e rritjes së pensioneve dhe vazhdon dhe për vitet e ardhshme. Ndërsa e shprehur në formën e shpërblimit, ajo ka një efekt të menjëhershëm sot e jo për vitet në vijim, kjo është ndryshimi mes saj.Si do ta nxjerr qeveria këtë, në momentin që do ta nxjerr sesi do të zbatohet, atëherë do ta shohim se çfarë efektesh do të sjellë.
-Ndërkohë varësisht shifrave të miratuara nga qeveria, pensionistët në qytet do të përfitojnë 1100 lekë më shumë dhe 700 lekë në fshat. Gjykuar në prizmin që e sheh qeveria dhe ju si ekspert ekonomie, mendoni se kjo shifër është e mjaftueshme për pensionistët duke parë dhe rritjen e çmimeve të larta?
Pa nxjerr akoma qeveria formulën sesi do të zbatohet shifra 4.1 mld lekë, ne nuk mund të japim receta e të themi se kjo është kështu e është ashtu. Por zakonisht ndjekin dy metoda. Njëra është se pavarësisht sesa janë pensionet, indeksimi bëhet me një kuotë të përcaktuar fikse, siç ka qenë traditë në rritjet e mëparshme të kësaj qeverie. Nuk ka patur diferencime, si pensionet e ulta dhe ato të larta, i ka rritur me të njëjtën vlerë absolute. Pensionet në fshat do të rriten më pak. Por thënë sipas objektivave që ka patur qeveria për të bërë dhe skemën e Sigurimeve Shoqërore, synohet që rritja e pensioneve të bëhet me ritme më të larta në fshat, pensionet e vogla në fshat do të rriten më shpejtë me një normë interesi më të lartë sesa pensionet e qytetit apo më të larta. Sesi do t’i kryqëzojë këto do ta shikojmë kur të dalë vendimi.
-Deri kur mendohet të vijojë kjo situatë kur ndërkohë nga ana tjetër Banka Botërore dhe FMN-ja po punojnë për caktimin e minimumit jetik që është pikërisht pika kyçe për të vazhduar më tej, parë gjithë analizën dhe gjykuar edhe në shifra për përcaktimin e një pensioni më të denjë për pensionistët?
Vendimi i qeverisë për përcaktimin e fondit për indeksimin e pensioneve, kjo është momentale dhe nuk i përket situatave strategjike dhe asaj që i përket se çfarë do të caktojë qeveria për të ardhmen. Do të jetë një reformë e cila do të shprehet me një ligj të ri besoj për vitet në vazhdim. Edhe sikur të jetë ligji që është sot në Sigurimet Shoqërore, do të jetë një tjetër ligji ri për pensionet në vazhdimësi, e cila do të ketë të tjera situata dhe parashikime si do të jetë pensioni në vendin tonë. Sigurisht që detyrimi i Bankës Botërore dhe FMN-së për të ndryshuar situatën e pensioneve tregon që këto dy instrumente të rëndësishme për Shqipërinë, do të shpërbejnë për të rregulluar skemën e jo pensionet. Në një farë mase, kërkojnë të gjejnë të tjera rrugë nga qeveria për të rritur të ardhurat dhe këto kanë të bëjnë me faktorët e mos rrjedhjes së fondeve shoqërore, duke mos u punuar në punë të zezë por secili që punon të deklarohet në sigurime shoqërore. Nga ana tjetër, të deklarohet paga reale, aq sa paguhet për aq të derdhen kontribute e të mos jepet një pjesë page në dorë. Këto faktorë, ndikojë pasi janë element që e ndihmojnë skemën që të funksionojë normalisht dhe pensionistët të kenë një situatë më të mirë për marrjen e pensioneve.