MENU
klinika

Drejtuesit e rinj politikë

PD mbledh sot Këshillin Kombëtar, çfarë pritet të diskutohet

06.09.2024 - 09:49

Partia Demokratike mbledh sot Këshillin Kombëtar, i cili do të vendosë për aksionin politik të opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare. Njësoj si Kryesia, edhe Këshilli Kombëtar pritet të konfirmojë nisjen e protestave për largimin e Kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, që do të organizojë procesin elektoral. Prej 8 muajsh, çdo natë, opozita organizon një tubim poshtë shtëpisë së Berishës dhe njëherë në javë proteston para Bashkisë së Tiranës.

Por kjo strategji duket se do të ndryshojë dhe fokusi i protestave do të jetë selia e qeverisë dhe Kryeministri Edi Rama. Mbetet për t’u parë nëse në mbledhjen e Këshillit do të ketë diskutime për drejtuesit e rinj politikë dhe procesin e primareve, dy çështje të cilat gjatë ditëve të fundit janë shoqëruar me debate brenda PD-së. Berisha ka vendosur që kandidatët për deputetë të përcaktohen nga vota e anëtarëve të partisë dhe procesi i primareve, por një pjesë e figurave kryesore të PD janë kundër, pasi sipas tyre, ky proces përçan partinë.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjerkmarkaj, komentoi dje emërimet e drejtuesve politikë të PD në qarqe. I ftuar në studion e “News 24”, Gjekmarkaj pranoi se mund të ketë edhe kundërshti për emrat, por theksoi se është pozitive që shfaqen mendime të ndryshme, sepse siç u shpreh ai, kjo është Partia Demokratike. I pyetur sesi do t’i menaxhojnë protestat dhe takimet me qytetarët njëkohësisht, duke marrë parasysh që jemi në një vit zgjedhor, deputeti i PD tha se “qytetarët do të jenë aleatë të aspiratave të tyre, duke u bashkuar në kauza me opozitën”.

“Qytetarët prej 12 vitesh jetojnë në një shtet ku iu vidhen zgjedhjet, iu vidhet ekonomia, iu futen duart në xhep, ku krimi i organizuar menaxhon flukset e votave dhe këta qytetarë nuk mendoj që janë të gëzuar me një klimë patronazhimi, në një klimë sureale pas 34 viteve pluralizëm. Qytetarët do të jenë aleatë të aspiratave të tyre, duke u bashkuar në kauza të përbashkëta me opozitën. Opozita është ajo pjesa e shprehjes tjetër të Shqipërisë, që mendon ndryshe, e asaj Shqipërie, e cila është e bindur se koha për të thënë ‘mjaft’ po skadon. Në këtë kontekst ne do të bëjmë gjithçka, do të mobilizohemi. Ne kemi energji të madhe, PD ka mbështetje kudo, po rritet baza e mbështetjes. Besoj se të gjithë këta njerëz që ndihen të keqtrajtuar, ndihen të vjedhur në buxhet, që shohin sesi një kryeministër për të qenë i tillë, sillet si mbret dhe jo si kryeministri i një republike parlamentare, ata kanë të drejtën të reagojnë. Nëse nuk ndodh kështu, nuk e pëson vetëm opozita, por e pëson Shqipëria dhe çdo qytetar që ka aspirata”, theksoi Agron Gjekmarkaj.

Mbështetja për PD – tha ai – është treguar gjatë gjithë kësaj kohe, kur kjo forcë politike ka qenë në vështirësi, madje ka marrë edhe 600 mijë vota.“PD ka kaluar një periudhë të vështirë dhe ajo duke qenë në agresion juridik dhe në agresion policor, shtetëror, me simbole të mbajtur peng për një kohë të gjatë, pa buxhet në një kontekst që u e njihni mirë, ai zgjedhjeve lokale grumbulloi mbi 600 mijë vota. Në kushtet vjedhjesh masive dhe në kushtet më të këqija mbështetja ka qenë e madhe. Kjo mbështetje zgjerohet, sepse njerëzit të vetmen shpresë kanë opozitën në Shqipëri. Ne sot, 12 drejtuesit e PD që do drejtojmë fushatën në Shqipëri, nuk janë akuzuar për shitblerje votash, nuk i kanë futur duart të xhep të shqiptarëve, kanë integritet moral, intelektual dhe politik. Ata janë mëse të besuar për të udhëhequr ndryshimin dhe fushatën në Shqipëri”, u shpreh deputeti i PD.

Sa i takon Sali Berishës, Agron Gjekmarkaj përmendi se ai është i padiskutueshëm në drejtimin e PD-së, ndërsa theksoi se po mbahet i izoluar pa prova, me qëllim për t’i hërbyer pushtetit, pasi po afrojnë edhe zgjedhjet.

“Shqipëria ka shpallur pavarësinë, është një shtet sovran, por nuk duhet të jetë arrogante, duhet të jetë dorë shtrirë me aleatët, duhet të ketë dhe do të këtë marrëdhënie të shkëlqyera me BE dhe SHBA. Berisha në periudhën 2005- 2013 ka qenë kryeministri që ka pasur arritjet më të mëdha të Shqipëruese moderne. Një kryeministër që ka qenë i suksesshëm, nuk ka arsye mos të jetë prapë i tillë”, theksoi Gjekmarkaj.

Pyetjes se sa e dëmton Berishën lufta ndaj SPAK, Gjekmarkaj i përgjigj: “SPAK është një institucion dhe jo një tempull as i krishterë, as islamik. Është institucion që mund të ketë bërë gjërat e vetë të mira, por edhe gabime. Në rastin e Berishës është një shkelje e hapur jo thjesht e të drejtave të njeriut, por edhe të Kushtetutës. Ka një tejzgjatje të hetimeve, pa nxjerrë një fakt. Duke ditur që Berisha është lider i opozitës, jemi në vit zgjedhor ata e mbajnë të mbyllur për t’i shërbyer pushtetit sepse nuk ka logjikë tjetër.

Izolimi i Berishës është në dobinë e kryeministrit dhe të PS për të trukuar garën pa nisur, por nuk jam i sigurt nëse do kenë sukses. Nuk është fundi politik i tij. Zoti Berisha tregoi që fundin politik e përcakton vetë. Ai po bën atë që nuk e kemi imagjinuar. Po prodhon çdo ditë politikë nga shtëpia e tij, motivon njerëzit. Po bën ato denoncime që nuk kemi kurajë t’i bëjmë ne të tjerët. Ngjarjet në PD lanë të kuptohet se Sali Berisha është faktori që përcakton vetë fatin e vetë politik brenda forcës politike, por edhe në Shqipëri”.