MENU
klinika

Dritan Hila: Psikoza e ikjes, po na shkatërron

“Për gjermanët, jemi si bangladeshasit në Shqipëri”

02.09.2024 - 11:53

Prej 5 vitesh, Dritan Hila nuk shkëputet nga Shqipëria për pushime. Gjatë bisedës në ”Aldo Morning Show”, ai u shpreh se ne konsiderohemi ende një vend i lirë dhe mund të shijosh pushimet. I vetmi ngërç që kufizon më së shumti turizmin dhe pushimet, sipas tij është shërbimi.

Gazetari thotë se kurse e shkolla ka, por duhen njerëz që dëshirojnë të punojnë në këtë sektor. Akoma më të nevojshme ai cilëson frenimin e asaj që e quan “psikoza e ikjes”.

“Unë mendoj që duhet të frenohet kjo psikologjia e ikjes njëherë. Kjo është një psikozë e cila po e shuan Shqipërinë dhe mendoj që këtu një dëm të madh po e bën politika por po e bën edhe media, e cila po krijon idenë që këtu nuk jetohet”, tha ai.

Ndër të tjera, Hila shton se “psikoza e ikjes” nuk po prek vetëm sektorin e shërbimit. Ai thekson se në vendet që presin krah pune, të gjithë të larguarit nuk mund të shkojnë përveçse deri nëë një pikë të caktuar dhe nuk do të përmbushin ambiciet e tyre.

“Jemi në një vend të mrekullueshëm, jemi në një vend normal, madje-madje unë them që jemi në një vend më mikpritës sesa Greqia apo Italia e jugut, ata që janë konkurrentët tanë dhe kemi një kuzhinë fantastike, ushqim fantastik, na mbetet të përmirësojmë shërbimin, t’u rrisim pak rrogat ose shumë rrogat, por mbi të gjitha duhet frenuar psikoza e ikjes sepse kjo po na shkatërron jo vetëm në turizëm, por në të gjitha”, shprehet Hila.

Edhe ta meritojnë atë rrogë të ngritur.

Dritan Hila: Edhe ta meritojnë, kjo është shumë e rëndësishme. Unë e ndiej vetë te portali im, ikin gazetarë që kanë shumë perspektivë, ikin. “Çfarë do të punosh, po do iki në Gjermani se më punon burri kuzhinier”, kjo do të punonte pjatalarëse.

Po mirë, ambicie për veten nuk ke? Nuk ke ambicie për veten të ecësh përpara, do të shkosh të punosh pjatalarëse në Gjermani? Maksimumi, ku do të arrish, do të arrish në kryepjatalarëse se gjermanët e kanë bërë Gjermaninë për veten e tyre, italianët e kanë bërë për veten e tyre Italinë, nuk e kanë bërë për neve.

Neve na presin aty si krah pune, domethënë ti je baza e zinxhirit ushqimor, s’ke për të shkuar kurrë më lart se e kanë për veten e tyre. Ti që shkon si mjek, s’ke për t’u bërë asnjëherë shef pavijoni se s’të lë njeri siç ti nuk do të lësh, ç’të të them unë ty, sirian apo afrikan që të të marrë vendin. Bangladeshasin aty do ta mbash, qameti deri në kryekuzhinier do ta çosh, s’ke për ta lënë të të marrë vendin.