MENU
klinika

Vrasja e dyfishtë në Velipojë

Policia aksion ‘blic’ për arrestimin e vëllezërve Frroku

10.09.2024 - 13:21

Policia vendore e Shkodrës ka zhvilluar një kontroll blic në Velipojë për arrestimin e vëllezërve Frroku të dyshuar për vrasjen e dyfishtë të shtetasve Ersild Ishmi 33 vjeç dhe kunatit të tij Arsid Hoxha 22 vjeç. Nga ky kontroll i befasishëm policia nuk ka arritur që të arrestojë vëllezërit Edmir Frroku dhë Gëzim Frroku të cilët dyshohen si autor të vrasjes, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 19 gushtit të këtij viti.

Efektivët e Shkodrës kanë patur një informacion se vëllezërit Frroku ndodheshin në një banesë në plazhin e Velipojës dhe menjëherë janë mobilizuar për të bërë arrestimin e tyre por pas kontrolleve ka rezultuar se asnjëri prej tyre nuk ndodheshin në vendin ku policia kishte informacion paraprak.

Në këtë operacion u angazhuan forca të shumta policie të cilët rrethuan zonën ku mendohej se ndodheshin dy vëllezërit por nuk u arrit arrestimi i tyre. Është e paqartë nëse vëllezërit Frroku nuk kanë qenë fare aty apo janë larguar përpara se policia të mbërrinte për të bërë atë kontroll të befasishëm.

Pavarësisht kësaj uniformat blu të Shkodrës vijojnë të jenë të angazhuara për të bërë të mundur arrestimin e vëllezërve Frroku. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë kishte një sinjal se dy vëllezërit mund të vetëdorëzoheshin në polici pas negociatave me familjarë të tyre por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe ata vijojnë që të jenë në arrati. Mbrëmjen e 19 gushtit shtetasi Erslid Ishmi dhe kunati i tij Arsid Hoxha shkuan në Velipojë duke u konfliktuar me vëllezërit Frroku, pronar të një hoteli atje për një sherr të mëparshëm që kishin.

Konflikti denigroi në dhunë fizike mes tyre e më pas u përdor arma teksa vëllezërit Frroku dyshohet se qëlluan Ishmin dhe Hoxhën duke i lënë fillimisht të plagosur rëndë e më pas duke humbur jetën në spitalin rajonal të Shkodrës. Policia arrestoi një kamarier, shtetasin Zyber Zagradi i cili mbeti i plagosur dhe Mario Pali, të dyshuar si të përfshirë në ngjarjen kriminale të cilët janë lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat nga gjykata e Shkodrës. Të dy këta shtetas kanë deklaruar se nuk e dinë si ka ndodhur konflikti sepse kanë shkuar me vonesë në vendngjarje dhe se kanë parë duke qëlluar me armë zjarri shtetasin Edmir Frroku. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes së dyfishtë dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e vëllezërve Frroku.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Motivet e ngjarjeve që tronditën vendin

DETAJE / 19 vrasje në tre muaj