MENU
klinika

Nisja e vitit të ri shkollor

Policia publikon planin e masave për sigurinë e nxënësve

08.09.2024 - 14:02

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka hartuar një plan të detajuar masash për të gjitha strukturat e angazhuara të Policisë në kuadër të nisjes së vitit të ri shkollor ditën e nesërme.

Sipas policisë, plani vjen në përmbushje të misionit dhe detyrave të përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, për garantimin e rendit, sigurisë dhe parandalimi i fenomeneve negative.

Policia shpjegon se qëllimi i këtij plani është garantimi i sigurisë publike, ruajtja e rendit dhe qetësisë, parandalimi i fenomeneve negative në shkolla, si dhe rritja e sigurisë për nxënësit dhe personelin mësimor, si në mjediset e shkollave ashtu edhe në rrugë.

“Për të siguruar zhvillimin normal të procesit mësimor dhe sigurinë e nxënësve në ambientet e jashtme dhe në afërsi të shkollave, Policia e Shtetit ka angazhuar Ndihmës Specialistët e Policisë në zona, punonjësit e Policimit në Komunitet, shërbimet e Patrullave të Përgjithshme, Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Policinë Rrugore dhe Policinë Kriminale.

Përpara fillimit të vitit shkollor është bërë një vlerësim i situatës kriminale në të gjitha qarqet. Bazuar në këtë vlerësim, strukturat vendore të policisë kanë hartuar Plane Masash me detyra të qarta për kontrollin e territorit, ruajtjen e rendit dhe angazhimin e policisë kriminale dhe rrugore”, thuhet njoftimi i Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetin thekson se në këtë kontekst, po bashkëpunohet ngushtësisht me Drejtoritë Arsimore Rajonale, drejtuesit e shkollave, stafet mësimore dhe oficerët e sigurisë në shkolla për të garantuar fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës.

Në kuadër të Paketës së Sigurisë në Shkolla, strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin po bashkëpunojnë me pushtetin vendor, psikologët, punonjësit socialë, Ministrinë e Shëndetësisë dhe AKU-në.

Gjithashtu, Policia Rrugore do të ketë një prani të shtuar në akset rrugore, veçanërisht pranë shkollave që ndodhen pranë rrugëve kryesore, si në fillim ashtu edhe në përfundim të procesit mësimor.

“Do të kryhen kontrolle të vazhdueshme dhe rigoroze për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënësit, duke përfshirë testet për alkool, kontrollin teknik të automjeteve dhe zbatimin e rregullave të transportit të nxënësve”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë së Shtetit.