MENU
klinika

Nisin takimet me socialistët

PS “ndez motorët” për zgjedhjet e 2025,15 drejtuesit politikë zbresin në terren

24.09.2024 - 10:20

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, Partia Socialiste ka “ndezur motorët” për të mobilizuar bazën e saj. Të 15 drejtuesit politikë të PS mësohet se kanë zbritur në terren për të nisur takime me socialistët dhe për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre. Kjo iniciativë vjen në një kohë kur platforma “Deputeti që Duam” ka arritur një numër rekord aplikimesh me 215 të tilla, duke reflektuar angazhimin e partisë për përfshirje dhe transparencë në procesin e zgjedhjeve. Aktivitetet e kësaj periudhe janë të rëndësishme për të formuar një strategji të fortë dhe për të siguruar një lidhje të ngushtë mes drejtuesve dhe bazës, në përgatitje për sfidat që sjellin zgjedhjet e ardhshme.

Detajet

Konkretisht me udhëzimet e kryetarit se duhet të nisin nga puna e të rrisin angazhimin në terren, ekipi drejtues i socialistëve për zgjedhjet e 2025-ës, është shpërndarë në bazë menjëherë sapo Kryeministri Rama zyrtarizoi listën e drejtuesve politikë. 15 figurat që Edi Rama u ka besuar drejtimin në qarqe, kanë nisur të prezantohen me strukturat e partisë në zonat që do drejtojnë, e kujt nuk iu tronditën pozitat e mëparshme, vijon punën i qetë në terrenet e njohura. Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu, dy nga tre drejtuesit që do të ketë qarku i Tiranës e kanë nisur punën së bashku me qëllim përcaktimin e detyrave, objektivave të reja dhe rienergjizimin e partisë. Ndërsa për Elisa Spiropalin e cila veç punëve të partisë duhet të kryejë edhe detyrën e saj si kryetare e parlamentit, takimet në 4 bashkitë e tjera të qarkut Tiranë ku do të jetë përgjegjëse për rezultatin, nuk kanë nisur ende, por Shkodrës që e drejton prej dy vitesh i prezantoi udhëheqësin e ri politik, kryetarin e Bashkisë Benet Beci, i cili duhet t’i demonstrojë partisë se fitoren nuk ua sjell vetëm në bashki, por në të gjithë qarkun.

Ndryshe nga Shkodra dhe shumë qytete të tjera ku ish-drejtuesit dhe drejtuesit aktualë kanë bërë kalimin e stafetës e përgjegjësive zyrtarisht, në Durrës, kryetarja e Bashkisë Emiriana Sako që do të udhëheqë edhe fushatën elektorale, dhe i besuari i socialistëve për 2021-shin Ardian Çela ende nuk kanë zhvilluar një takim të përbashkët me strukturat. Belinda Balluku në Dibër prezantoi kolegun e saj Blendi Gonxhja, ministrin e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, si drejtuesin e ri politik, ndërsa vetë asaj iu la detyra në Fier nga Taulant Balla. Arbjan Mazniku, Ministri për Pushtetin Vendor, të cilit për herë të parë iu besua drejtimi politik i një qarku, iu kalua zyrtarisht detyra nga Damian Gjiknuri, i cili në këto zgjedhje do të merret vetëm me organizimin e punëve të partisë.

Kalimi i stafetës

Në Vlorë, Blendi Klosi, i la stafetën Bledi Çuçit, i cili këtë herë do të sprovohet me drejtimin e një qarku të madh, ndërsa vetë Klosi do të ketë përgjegjësinë për organizimin zgjedhor në të gjithë vendin si sekretar i përgjithshëm. Për Beratin që Bledi Çuçi e drejton nga shtatori 2021, detyrat e partisë ia kaloi kryetarit aktual të bashkisë, Ervin Demo, mes të cilëve ceremonia e delegimit të detyrës u duk edhe më miqësore se mes të tjerëve. Ndërsa Mirela Kumbaro në Gjirokastër, Pandeli Majko në Kukës dhe Ulsi Manja në Lezhë që nuk i kapi “lapsi” i kryetarit e vijojnë të drejtojnë të njëjtat qarqe, me komoditetin që i jep njohja e terrenit, nuk kanë nisur ende nga takimet.

Ka nisur punën edhe Niko Peleshi në Korçë, i cili edhe pse e drejton këtë qark që nga 2013-ta dhe i njeh shumë mirë strukturat, takimet në zonën e tij elektorale i ka nisur që tani. Edhe pse në një terren të panjohur për të, punën e ka nisur edhe Taulant Balla, të cilit kryeministri Rama i ka besuar detyrën e re, atë të drejtimit elektoral të diasporës e cila voton për herë të parë në historinë e Shqipërisë. Takimet Balla i ka nisur me shqiptarët e Greqisë në Selanik e pritet t’i shtrijë edhe në shtete të tjera ku jetojnë e punojnë shtetas shqiptarë. Ndërkohë deri tani janë 215 aplikime në platformën “Deputeti që Duam”, ku është i mirëpritur cilido që dëshiron t’i bashkohet skuadrës sonë të re PS 30 për Shqipërinë 2030.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN