MENU
klinika

Analiza e VOA

Reagime pas ndarjes së Shqipërisë dhe M. së Veriut në procesin e integrimit evropian

27.09.2024 - 21:20

Ndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian ka nxitur mjaft reagime në Shkup. Opozita akuzon pushtetin për politikat që ajo thotë se shkaktuan ngecje dhe për mungesë vullneti për ta çuar vendin drejt familjes evropiane.

Lidhja Social Demokrate thotë se fajin oër këtë e ka në mënyrë të drejtpërdrejtë VMRO-DPMNE-ja dhe Kryeministri Hristijan Mickovski. Ajo e quan një gjë të tillë një dështim të rëndë diplomatik të zotit Mickovski.

“Sot në vend që të ishte një ditë gëzimi, shprese dhe mundësish të reja për qytetarët maqedonas, ne flasim për destabilizim, izolime dhe çështje etnike”, thotë LSDM, duke shtuar se “me anë të nxitjes së nacionalizimit dhe gënjeshtrave, po vendosin direkt në mënyrë të njëanshme për ndërprerjen e bisedimeve me BE-në”.

“Mickovski dhe VMRO-DPMNE-ja janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për faktin që Maqedonia nuk ka më një perspektivë evropiane”, thuhet në një komunikatë të Social-demokratëve.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi të premten përmes një komunikate në media duke akuzuar qeverinë në Shkup për politikat e gabuara që “po na e rrëmbejnë të ardhmen evropiane”.

“Për shkak të dështimit të kësaj qeverie për të përmbushur reformat kushtetuese, Maqedonia e Veriut është sot e ndarë nga Shqipëria në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian. Ky vendim është një pasojë e drejtpërdrejtë e një dështimi politik, por mbi të gjitha është një padrejtësi e rëndë për çdo qytetar të Maqedonisë së Veriut që e ka parë Evropën jo vetëm si një qëllim politik, por si një aspiratë e thellë shoqërore dhe kulturore”, thuhet në reagimin e partisë më të madhe opozitare shqiptare.

BDI-ja akuzoi qeverinë se çdo vonesë në reformat kushtetuese është “një hap më larg nga familja evropiane dhe një hap më pranë izolimit, ndarjes dhe ngecjes në vend”.

Kryeministri Mickovski tha gjatë një konference shtypi me kryeministrin hungarez se shikon vetëm dy palë që i janë gëzuar vendimit të djeshëm të Brukselit: “Sofja, një dhe opozita në Shkup, dy”, u shpreh ai.

Kryeministri hungarez Victor Orban, i cili qëndroi për vizitë dyditëshe në Ohër, tha se nuk ishte e drejtë ndarja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në rrugën evropiane. Ai theksoi mbështetjen e fuqishme për Shkupin drejt integrimit në BE, teksa paralajmëroi një nismë për të ndërmjetësuar në mosmarrëveshjen e këtij vendi me Bullgarinë fqinje. Zoti Orban shikohet si përkrahës i politikave të VMRO-DPMNE-së. Vendi i tij strehoi ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski i dënuar në Shkup për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.

Zoti Orban hodhi poshtë dyshimet e opozitës maqedonase për një hua prej 500 milonë eurosh që vendi i tij do t’i japë Maqedonisë së Veriut me kushte të favorshme, për çka Lidhja Social Demokrate thotë se janë para kineze. “Ne nuk mund të japim para të huaja”, tha kryeministri hungarez, vendi i të cilit është kryesues aktual me BE-në.

Analistët vlerësojnë se ky ishte një shans i mirë për fillimin e bisedimeve të Shkupit me BE-në. Xhelal Neziri thotë për Zërin e Amerikës se Maqedonia e Veriut ka lëshuar shansin që të integrohet në BE me grupin e parë të vendeve që janë Mali i Zi, Shqipëra dhe Serbia. Ai thotë se vala e radhës e zgjerimit pa Maqedoninë e Veriut do të shtojë frustrimet, sidomos te shqiptarët etnikë, të cilët sipas tij, ndjehen viktima të mosmarrëveshjeve që vendi i ka me fqinjët.

“Kjo ndarje do të ndikojë edhe në zbatimin e reformave në Maqedoninë e Veriut. Qeveria nuk do të ketë vullnet t’i zbatojë ato dhe me këtë do të ngadalësojë zhvillimin ekonomik. Është moment që do të prodhojë pasoja në të gjitha aspektet”, thotë analisti, ndërsa ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut e shikon si shënim të një momenti kthese në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. “Maqedonia e Veriut mbetet në grupin problematik bashkë me Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Kosovën. Grupi i parë pritet të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2030, kurse grupi i dytë ka një perspektivë evropiane vështirë të parashikueshme”, vlerëson zoti Neziri.

Nenad Markoviç thotë se nëse injorimi i mosmarrëveshjeve, në këtë rast me Sofjen, nuk çon askund, por se vetëm thellohet konflikti.

“Nëse injorohet problemi ai me siguri do të përhapet më tej, do të rritet edhe më shumë, ashtu siç ishte rasti me Greqinë ku u pa se koha nuk shkon në favor tonin”, thotë ai.

Zoti Markoviç shton se fillimi i bisedimeve nga ana e Shqipërisë, nuk duhet parë me sy negativ.

“Fqinjëve duhet t’u urojmë rrugë të mbarë dhe të na tërheqin edhe ne me vete”, shprehet ai, ndërsa thekson se elitat politike në vend nuk duan të lëshojnë pe para Sofjes, “por rrugën e kemi të përcaktuar në atë mënyrë në kornizën e bisedimeve dhe kjo nuk do të ndryshojë”, thotë Nenad Markoviç, profesor universiteti.

BE-ja kishte futur Shkupin dhe Tiranën në një grup për të ecur bashkë drejt integrimit, duke i dhënë një afat Shkupit që të miratonte ndryshimet kushtetuese për të përfshirë pakicën bullgare, që paraqisnin kusht për bisedimet e mëtejme më Bllokun. Por pushteti i ri i Maqedonisë së Veriut nuk shprehet i gatshëm për plotësimin e këtij kushti kryesor.

Maqedonia e Veriut është ndër shtetet e para të Ballkanit Perëndimor që mori statusin “vend kandidat për anëtarësim” në BE, që në dhjetor të vitit 2005, por politikat e qeverive në Shkup që janë kritikuar si të gabuara, problemet e brendshme dhe vetot e vendeve fqinje anëtare në Bllok e kanë bërë rrugën e mundimshme dhe të stërzgjatur drejt Brukselit./voa

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN