Në datat 10, 11 dhe 12 shtator, Tirana do të presë edicionin e III të “Gjon Mili Jazz & Blues Festival”, organizuar nga RIAS në bashkëpunim me Kongresin Rinor Kombëtar dhe mbështetur nga Bashkia Tiranë, MEKI etj.
Nata e parë do të mbahet në sallë “Avni Mula”, në shkollën “Servete Maçi”, ndërsa ditët e tjera të festivalit, në varësi dhe të kushteve të motit, do të zhvillohen tek instalacioni Reja – The Cloud. Festivali do të ofrojë një program të larmishëm muzikor me pjesëmarrjen e gjashtë formacioneve muzikore dhe tridhjetë muzikantëve të njohur dhe të rinj nga Shqipëria dhe jashtë.
Ndër të ftuarit e veçantë këtë vit janë “Roaring Cats” nga Hollanda, “Barista 3” nga Austria, dhe “Roberto Tarenzi Trio” nga Italia.
Një fokus i veçantë i këtij edicioni është promovimi i talenteve të reja, me prezencën e formacioneve si “AJS Quartet”, “Elona Islamaj Trio”, dhe “UART Combo”, studentë të degës së re “Muzikë Jazz” në Universitetin e Arteve.
Nata e tretë do t’i kushtohet kompozitorit të njohur italo-amerikan Harry Warren, ku do të interpretohen disa nga këngët e tij më të njohura, duke ndriçuar lidhjen e tij me trashëgiminë shqiptare.
Gjon Mili Jazz & Blues Festival synon të promovojë muzikën jazz dhe blues, si dhe të nxisë aktivitetin artistik dhe krijimtarinë ndërmjet muzikantëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë./atsh