MENU
klinika

E para në Ballkan dhe e pesta në Europë

Shqipëria ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës

30.09.2024 - 10:20

Shqipëria renditet e para në Ballkan dhe e pesta në Europë për çmimin më të lartë të naftës, një situatë që ka shkaktuar shqetësim te qytetarët. Ndërkohë një tjetër goditje për ekonominë është paralajmërimi për rritjen e çmimit të bukës dhe energjisë nga 1 nëntori. Këto ndryshime do të prekin ndjeshëm buxhetin e familjeve shqiptare, duke i zhytur ata skamje dhe vështirësi ekonomike, pasi Shqipëri është një ndër vendet më të varfra në botë.

Situata ekonomike në Shqipëri

Konkretisht Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i pesti në Europë dhe i teti në botë për çmimin më të lartë të naftës. Të dhënat nga platforma “Global Petrol Prices” një litër naftë në vend kushton 1.98 dollarë, çmim ky më i shtrenjtë edhe se krahasuar me Singaporin që i ka të ardhurat për frymë në mbi 85 mijë dollarë. Hong Kongu është shteti ku nafta kushton më shumë, 3.14 dollarë për litër, pasuar nga Monako dhe Afrika Qendrore. “Prandaj është nevoja që institucionet të ndërhyjnë me qëllim goditjen e oligopoleve që qytetarët të kenë çmime më normale”, shprehet për “A2” Mikela Qafa, eksperte për ekonominë. Çdo litër naftë që shitet në pikat e karburanteve është i përbërë nga çmimi me të cilin lënda djegëse blihet në bursa dhe taksat e tarifat që aplikohen nga qeveria.

Të dhënat nga bursa Platts tregojnë se çmimi naftës ka rënë në 667 dollarë për ton nga 713 dollarë në fillim të muajit. Duke qenë se lënda blihet në dollarë, ndryshimi i kursit të këmbimit është faktor i rëndësishëm për përcaktimin e çmimit. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, këtë muaj dollari është zhvlerësuar me disa pikë pse nuk ulet çmimi i naftës në vend? “Duke qenë se kërkesa për produktet vijon të rritet, kjo rrjedhimisht sjell çmime të larta nga pikat e karburanteve”, thekson Stafa. Në Shqipëri, përveç luhatjeve të çmimit të hidrokarbureve në bursë, taksat dhe tarifat të përfshira në çdo litër naftë dhe benzinë që tregtohet, vlerësohet si ndikojnë në ndjeshmërinë e lartë të rritjes së çmimit të këtyre produkteve. Aktualisht, më shumë se 62 për qind e vlerës së një litri nafte dhe benzine përbëhet nga taksat vendore dhe qendror.

Situata me energjinë

Ndërkohë nga 1 Nëntori, hyn në fuqi vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në orët e pikut për furrat e bukës dhe pastiçeritë. Çmimet do të rriten me 15% për të gjitha kategoritë, në varësi të llojit të aktivitetit të furrave. Kjo rritje do të zbatohet në periudhën e dimrit nga ora 18:00-22:00 dhe në periudhën pranverë-verë nga ora 19:00-23:00. Për kategorinë e parë, që përfshin vetëm furrat e bukës, çmimi do të rritet nga 7.6 lekë në 8.74 lekë/kWh. Ndërsa për kategoritë që përfshijnë furrat me produkte mielli dhe pastiçeri, çmimi do të shkojë nga 9.5 në 10.93 lekë/kWh. Për furrat që ofrojnë edhe shërbim kafeje, çmimi do të rritet nga 12 lekë në 13.8 lekë/kWh. Prodhuesit e bukës kanë shprehur shqetësimin se kjo rritje e çmimeve do të rrisë ndjeshëm kostot mujore të energjisë, me një rritje të parashikuar prej 18%, duke ndikuar potencialisht edhe në çmimin e bukës. Në përgjigje, Shoqata e Bukës dhe Pastiçerive ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të tarifës shtesë për orët e pikut, duke zhvilluar bisedime me OSHEE-në dhe ERE-n për të shqyrtuar zgjidhjet e mundshme. Ndërkohë, vendimi mbetet në fuqi dhe pritet të ndikojë në të gjithë industrinë e furrave të bukës në vend.