MENU
klinika

Media italiane “TTi Viaggi”

Shqipëria, një nga perlat më të bukura të Mesdheut

22.09.2024 - 12:15

A e dini se vetëm 56 minuta larg nga Italia ekziston një vend ku mund të jetoni dhe ta vizitoni për vetëm 20 euro në ditë?

Më pak se një orë larg me rrugë ajrore nga Italia qëndron një parajsë tokësore – që ndoshta shumë prej jush ende nuk e dinë: Shqipëria, shkruan Susanna Bargiacchi në një artikull të botuar në revistën italiane të udhëtimeve “TTi Viaggi”.

Kjo tokë me bukuri dhe autenticitet të jashtëzakonshëm po shfaqet si një nga destinacionet më ekonomike dhe magjepsëse për turistët që kërkojnë aventura me kosto të ulët.

Me një kosto prej vetëm 20 euro në ditë, vendi i vogël mesdhetar ju ofron mundësinë të jetoni një eksperiencë ëndrrash, duke eksploruar plazhe të pacenuara, male të gjelbëruara dhe qytete të pasura me histori.

Shqipëria është sekreti i ruajtur në Ballkan dhe, ndryshe nga shumë destinacione të tjera evropiane, ofron një ndërthurje unike të natyrës, kulturës dhe kuzhinës pa boshatisur portofolin tuaj.

Plazhet e Rivierës Shqiptare: një parajsë tokësore me kosto të ulët

Mrekullia e parë që tërheq vizitorët në Shqipëri është bregdeti i saj i mrekullueshëm.

Riviera Shqiptare, me plazhet e bardha dhe ujërat e kristalta, është një nga perlat më të bukura të Mesdheut.

Vende të tilla si Ksamili dhe Dhërmiu ofrojnë peizazhe si në kartolina, me detin bruz dhe plazhet ende pa shumë njerëz, sidomos jashtë stinës së verës.

Dhe gjëja e mrekullueshme është se, edhe me një buxhet të kufizuar, ju mund të shijoni gjithë këtë luks.

Një natë në bujtinë apo apartament kushton mesatarisht më pak se 15 euro, ndërsa një vakt në një restorant lokal, me peshk të freskët dhe perime të stinës, mund të shijohet për vetëm 5 euro.

Qytetet e pasura me histori dhe kulturë: Tirana dhe Berati

Shqipëria nuk ka vetëm det. Qytetet e saj ofrojnë një ndërthurje magjepsëse të historisë dhe modernitetit.

Tirana, kryeqyteti i gjallë, është një shembull i përsosur sesi tradita dhe progresi mund të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike.

Këtu, ju mund të vizitoni muzetë, galeritë e artit dhe monumentet historike, si Piramida e Tiranës apo Kulla e Sahatit.

Qyteti është gjithashtu plot me bare dhe restorante ku mund të shijoni kuzhinën tipike shqiptare pa shpenzuar shumë.

Rreth dy orë larg Tiranës ndodhet Berati, një nga qytetet më të vjetra dhe më piktoreske në Shqipëri, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve” për shkak të shtëpive të tij osmane me pamje nga lumi Osum.

Qendra historike e Beratit është vendosur në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe duke ecur nëpër rrugët e tij të ngushta me kalldrëm – do të ndiheni sikur jeni kthyer pas në kohë.

Edhe këtu, kostot janë tepër të ulëta. Ju mund të akomodoheni duke përfshirë mëngjesin për më pak se 10 euro në natë – dhe të hani drekë në një restorant lokal për më pak se 5 euro.

Malet dhe Parqet Natyrore

Nëse e doni natyrën, Shqipëria ofron shumë më tepër se brigjet e saj të mrekullueshme.

Brenda vendit shqiptar dominojnë malet dhe parqet natyrore impozante – të cilat janë një parajsë e vërtetë për adhuruesit e ecjes dhe aventurave.

Parku Kombëtar i Valbonës, për shembull, është një nga destinacionet e preferuara për vizitorët që kërkojnë qetësi dhe peizazhe mahnitëse.

Këtu mund të eksploroni shtigje të natyrës, me pamje spektakolare të maleve dhe liqeneve alpine.

Edhe në këto zona, çmimet janë jashtëzakonisht të përballueshme. Një dhomë në një bujtinë tradicionale kushton pak më shumë se 10 euro për natë – dhe ushqimet janë po aq të lira.