Dallëndyshe Brahimaj (Bardha) e takova tek Kryegjyshata Botërore Bektashiane.
Dallëndyshja që të gjithë e thërrasin Dushka ka një jetë që shërben në këtë vend të shenjtë.
Dushka është 62 vjeçe dhe përgjatë këtyre viteve nuk ka ndaluar kurrë së shërbyeri vëllait të saj Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Në dukje Dushka është një grua me posturë të rëndë, me një qëndrim serioz. Impakti i parë me 62-vjeçaren të bën të mendosh se biseda me të do jetë e shkurtër dhe pa kurrfarë emocioni.
Ky mendim zgjati deri sa Dushka filloi më tregoi se me besimin atë e lidh çdo gjë. E mira dhe e keqja ecin paralelisht me rrugëtimin e Dushkës në rrugën e besimit.
E lindur më vitin 1962 në Brataj të Vlorës ajo e kujton kohën kur ishte fëmijë si një fëmijëri normale por të lumtur.
Përveç kujtimeve të bukura të cilat i kujtohen, kur flet për atë kohë duket se diçka e mundon.
Teksa mban në duar një foto bardh e zi, fytyra e saj fillon të rrudhet dhe vetullat të ngrysen. Kjo pasi në mëndje si një kasetë që luhet pa dëshirën e saj i kujtohet dhe fillon të tregoj për kohën kur motra e saj ndërroi jetë.
Ishte vetëm 14-vjeçe kur zoti i sprovoi familjen Brahimaj me humbjen e vogëlushes 7- vjeçare.
”Shtëpia mori flakë dhe ajo u asfiksua nga tymi. Ishte defekt energjitik, ishte 26 dhjetor dhe ajo ngrohej në një furnelë. Shtëpia ishte mbushur me tym, kur shkova nuk hapja dot derën. Është traum për mua. Nuk më besohej. Ishte ditë e shtunë mamaja më kishte lënë disa lek të paguaja qeranë dhe pas qeras zura radhe për të marrë një kadaif. U deshën vetëm kaq minuta që të ndodhte ajo fatkeqësi. Më mungon, do ta kisha shoqe.”
Nga ajo kohë karakteri i Dushkws ka ndryshuar shumë.
E lindur në Vlorë por e rritur në Tiranë, Dushka tregon se ka mbaruar 3 shkolla të mesme, aso kohe shkolla që të mësonin zanatin.
Tekstili industrial, rrobaqepësia dhe ekonomiku janë shkollat që i dhanë mundësinë Dushkës të punoj.
Besimi nuk kishte si të mungonte në zemrën e një vajze që vjen nga një familje profetike siç e quan ajo.
Dushka rrëfen se kur festonin festat e tyre, gjenin pretekste si ditëlindje që të mos spiunoheshin nga komshinjtë.
“Mbledhjet zakonisht bëheshin në shtëpi private ku bëheshin edhe kurbanet, këndoheshin këngët e bektashizmit.”
Kur flet për besimin e saj nuk pret që personi përball saj ta besoj, pasi këmbëngul se mrekullitë e bektashizmit duhet ti provosh për ti besuar.
Dushka beson verbërisht në fenë e saj, ajo e mbështet forcën e besimit të saj në përvojat e jetës.
“Në vitin 88 mamasë time, i thonë mjekët që kë kancer, ke vetëm 1 javë jetë. Baba Reshati bëri një kurban, të cilin e gjetëm me mik në malësinë e Krujës. Dashi u pre dhe mushkëritë ia sollën Baba Reshatit i cili i tha babait tim këto fjalë: Merushja shpëtoi, sepse sëmundja i kaloi dashit.”
Me këto fjalë Dushka mundohet të shpjegoj rëndësinë e kurbaneve.
Kur e pyet për sfidat e përditshme, përgjigja e Dushkës është se nuk i ka ndodhur ndonjëherë të ndeshet në debate pasi gjërat të tilla ajo i ka dorëzuar në duart e zotit.
Njerëzit mëkatar janë të mallkuar në 7 breza thotë Dushka.
Fjali kjo që të lë të kuptosh që një bektashi është i lidhur ngushtë me jetën brenda parimeve.
Të mos vjellësh, të mos flasësh keq për tjetrin apo ta ofendosh janë vetëm disa nga sfidat e përditshme për një besimtar bektashi.
Nga biseda me Dushkën kupton se ajo është “Muhype”.
Ky term i referohet një personi që është i përkushtuar shpirtërisht dhe ndjek me devocion udhëzimet dhe mësimet e udhëheqësve fetar. Kur kalon në këtë fazë të falen të gjitha mëkatet.
Për tu bërë një e tillë nuk të duhet betim apo një thirrje e brendshme madje as të jesh besimtar bektashi, mjafton të jesh njeri i pastër në zemër me dëshirën për të shërbyer.
Dushka nuk humb kurrë lutjen e mëngjesit e as atë të akshamit, perëndimit të diellit.
Edhe pse disa anëtarë të këtij fisi kanë shërbyer si udhëheqës shpirtërorë (baballarë) në urdhrin Bektashi, janë krijuar edhe marrëdhënie martesore me besimet e tjera. Dushka tregon se lidhja me kunatën e saj ortodokse është e ndërtuar nga respekti dhe dashuria.
“Asaj i shkoj për pashkë, ajo rri me kryq në qafë. Nuk ka asgjë të keqe ajo është nusja e vëllait të vogël Armandit. Kemi marrëdhënie shumë të mira e respektojë dhe më respekton”
Zoti për Dushkën është arsyeja pse mamaja e saj shpëtoi nga sëmundja. Zoti për Dushkën është arsyeja që edhe pse në moshën 40-vjeçare bashkoi jetën me një burrë për të krijuar familje. Zoti për Dushkën është ardhja në jetë e djalit të saj.
Zoti për këtë besimtare është jeta e saj, sprovat dhe të mirat që ajo i përjetoi e ndaj u beson.
62-vjeçarja shprehet se mes saj dhe bashkëshortit kishte kimi që në momentin e parë që e ka parë.
“E ndjeva se ishte i duhuri, kishte kimi e desha me shpirtë”
“Do ta kisha kthyer bektashi”-kështu shprehet Dushka kur e pyes se çfarë do të ndodhte sikur partneri i saj të ishte i një besimi tjetër.
Kur më dha këtë përgjigje e kuptova arsyen se përse ajo nuk kishte lexuar kurrë literaturën e feve të tjera qoftë as për kuriozitet.
Dushka nga martesa me nipin e Baba Reshatit ka një djalë për të, cilin do kishte dëshirë ti shërbente zotit por mbi të gjitha të jetë njeri i mirë.
Djali i saj quhet Ali Ekber që do të thotë, Aliu i madh.
Përveç shërbesës të pa lodhëshme në vendin e shenjtë Dushka bashkë me bashkëshortin janë edhe pronarët e një restoranti.
Drejtimi i biznesit familjar dhe shërbesa në Kryegjyshatë mbushin ditët e 62-vjeçares Dallëndyshe Brahimaj.
Shërbesa e saj nënkupton larjen e rrobave, gatimin dhe kujdesin personal për Baba Mondin vëllai e saj.
“Shërbesa është dashuri.“
Jetojmë në një epokë ku informacioni, përfshirë thashethemet apo lajmet, përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme. Platforma të tilla si mediat sociale, aplikacionet, faqet e internetit janë të pashmangshme edhe për një besimtar.
Dushka nuk ruan një lidhje të fortë me rrjetet sociale por për lajmet nga të cilat “zien“ rrjeti e ka një koment.
“Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”-thotë Dushka referuar lajmit ku thuhet se emri i Kryegjyshit Bektashi, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka dalë në bisedat “SKY”.
“I kam kthyer komentin njërit në Facebook, i shkruajta:
Shko takoje pastaj fol keq për Baba Mondin.
Ata që flasin për të nuk e njohin. Nuk ma merr mendja që një njeri që e njeh vëllain tim mund të flasë keq për të. Një injorant mund të flasë për dikë pa e njohur. Nuk mendoj që një gazetarë bektashi mund të shkruaj një lajm të tillë.“
Teksa mundohet të ruaj figurën e vëllait të saj, motra e Kryegjyshit tregon se si tradita e besimit bektashi u vazhdua nga gjaku i familjes Brahimaj.
“Kryegjyshi Botëror në vitet 1948-1958 Dede Ahmetin, ishte xhaxhai i babait tim. Gjithashtu një tjetër Kryegjysh, Haxhi Dede Reshat Bardhi ishte dervish i Dede Ahmet Ahmataj. Baba Mondi ishte shumë i lidhur me Baba Reshatin kjo e bëri që të ndiqte këtë rrugë.“
Për Dushkën shërbesa që kryen në Kryegjyshatë nuk është diçka e imponuar. E lindur në një familje ku vëllai i saj vazhdon traditën e të parëve ajo ndihet e privilegjuar që është motra e Kryegjyshit Bektashi, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Edhe pse 62-vjeçe, fjala e Baba Mondit për Dushkën është urdhër dhe nuk duhet kundërshtuar pasi ai di çdo gjë më mirë.
Për këtë grua mrekullitë dhe besimi lidhen me përvojat shpirtërore, shenjat e devotshmërisë dhe trashëgimia që familja e saj i ka dhuruar.
Dushka një njeri jo shumë i gojës, me shikimet apo mimika të lë të kuptosh se bektashizmi për të nuk është thjesht një besim, por një mënyrë e të jetuarit.
Dallëndyshe Brahimaj, motra e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj është shembulli se ndonjëherë për të besuar me zemër, ke nevojë të shikosh me sy.