MENU
klinika

Atentati në mes të ditës në lokalin plot me qytetarë

Si ndodhi ngjarja e frikshme në Don Bosko?! Dinamika

04.09.2024 - 10:44

Dy persona kanë mbetur të plagosur nga një atentat i kryer nga një makinë në lëvizje. Ngjarja ndodhi pak pas mesditës së djeshme në një nga zonat më të popullura të Tiranës, Don Bosko.

Shënjestra ishte në tavolinë, në verandën e një lokali në afërsi të OSHEE-së, i shoqëruar me një të ri, të cilët sipas mjekëve kanë marrë plumba. I riu, që sipas të dhënave është vetëm 22 vjeç, ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa personi tjetër, i cili u identifikua si Kastriot Elezaj, ka marrë dy plumba, një në pjesën e krahut dhe një në gjoks.

Një nga tre personat që gjendeshin në mjet, ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar mbi ta. Më pas ka hyrë në makinë dhe mjeti ka marrë rrugën në drejtim të Institutit, ka kaluar në Kamzë dhe në zonën e Qerekës, aty i kanë vënë flakën mjetit. Policia ka mundur të gjejë vetëm makinën në flakë dhe një armë automatike brenda ndërsa pamjet filmike kanë fiksuar në automjet tre persona, që të gjithë, sipas kryepolicit të Tiranës kanë qenë me maska.

Janë shoqëruar disa persona që janë gjendur në lokal, mes të cilëve dhe kamerieri, të cilët pas dhënies së dëshmisë janë lënë të lirë. Autorët nuk dihet se çfarë drejtimi kanë marrë, ndërsa policia bëri me dije se po punon për identifikimin e tyre.

ATENTATI

Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka dhënë detaje në lidhje me atentatin që ndodhi mesditën e djeshme në Don Bosko, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, me lidhje shoqërore me njëritjetrin.

Sipas Vocajt, atentati dyshohet se është krye nga 3 persona, përfshirë edhe shoferin e makinë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 7 gëzhoja, ndërsa objektivi nuk dihet. Vocaj tha se autorët kanë qëlluar nga një makinë në lëvizje, e cila është gjetur e djegur dhe brenda saj është gjetur edhe një armë.

“Ndodhen ne spitalin e Traumës në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Po mblidhen provat në lidhje me ngjarjen. Gjithashtu, jemi duke kontrolluar në të gjithë zonën për kamerat e sigurisë në biznese. Në territorin e komisariatit 5 është gjetur një makinë e djegur dhe dyshohet se u përket autorëve. Targat nuk janë të vjedhura, por numri i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal. Janë gjetur 7 gëzhoja, të nxjerra nga një armë zjarri. Në makinë është gjetur një armë zjarri e cila po analizohet. Ishin në të njëjtën tavolinë, kanë lidhje shoqërore me njëri-tjetrin. Kanë qenë duke pirë kafe në verandë. Nuk e dimë shënjestrën. Objektivin s’mund ta themi presim hetimet. Mendohet se kanë qenë 3 persona, përfshirë dhe drejtuesin. Tek personat nuk janë gjendur sende të jashtëligjshme. Njëri prej tyre ka precedent penal. Po hetojmë për backgraundin që të plagosurit kanë dhe konfliktin e mundshëm që kanë. Autorët kanë qëlluar nga makina. Nuk kanë zbritur, kemi pamje filmike të mënyrës si ka ndodhur ngjarja. Kanë hapur zjarr nga makina, ka probabilitet të kenë qenë të maskuar’, tha Vocaj.

Hetimet

Duke qenë se policia nuk ka mundur të sigurojë asnjë gjurmë të atentatorëve që qëlluan mbi dy personat në Don Bosko, hetimet kanë nisur nga aktivitetet e dy të shënjestruarve. Duke qenë se R. Metushi është vetëm 22 vjeç dhe i paskeduar më herët nga policia, fokusi është përqendruar tek aktiviteti kriminal i Kastriot Elezajt, 45 vjeçarit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Ndërkohë që pritet që të merret dëshmi nga i riu Metushi, policia bën me dije se Elezaj është i hetuar dhe i dënuar në Itali për trafiqe, ku sipas të dhënave është hetuar edhe për trafik femrash. Do të jenë kamerat dhe pamjet që janë përftuar prej tyre që do të mundësojnë hedhjen dritë mbi identikitet e autorëve, ndërkohë pritet ekzaminimi i mjetit dhe armës ndonëse kanë qenë në flakë kur ka mbërritur policia.

Marrja e drejtimit për nga Fushë-Kruja duket se ka orientuar policinë për në zonën më të nxehtë të strehimit të ekzekutorëve që veprojnë në Shqipëri, ndërsa policia dhe grupi hetimor shpresojnë që shpejt të mund të marrin edhe një dëshmi të atij që konsiderohet edhe shënjestra e sulmit të djeshëm, Kastriot Elezajt.