MENU
klinika

Nga Mero Baze

Sikur na thatë që opozita i shiste zgjedhjet…

04.09.2024 - 21:00

Sali Berisha kërkoi sot në kryesinë e PD, që opozita të mos fajësohet për humbjen në zgjedhje, duke përsëritur refrenin e tij se Edi Rama ka deformuar procesin zgjedhor. Duke folur nga shtëpia e tij për Kryesinë e fytyrëvrarë të PD mbledhur në SHQUP, duket se Berisha ishte më shumë i shqetësuar se si do justifikojë humbjen e radhës më 2025, se sa për ndonjë mekanizëm për fitoren e tyre.

Po kush e ka fajësuar opozitën për humbjet në zgjedhjet, përveç Berishës?

Në fushatën e tij trevjeçare për rikthimin në krye të PD, Sali Berisha ka pasur fjalë të parë dhe të fundit, faktin që opozita nga viti 2017 e më pas ka shitur rregullisht zgjedhjet përmes Lulzim Bashës. Madje e ka nisur akuzën duke përfshirë edhe zgjedhjet e vitit 2017, pas marrëveshjes Basha-Rama, të cilën në fakt e ka negociuar vet.

Ai ka akuzuar Lulzim Bashën se ka shitur zgjedhjet e vitit 2017, se ka djegur mandatet e vitit 2019, se ka bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019 dhe ka shitur zgjedhjet e vitit 2021. Madje për gjithë këto akuza të rënda ndaj Bashës, ai e linçoi atë dhe i rimori PD dhe në fund me një shkelje syri nga pushteti, dhe vulën e logon.

Askush tjetër nuk e ka linçuar opozitën, ose së paku këtë opozitë që është, sa Sali Berisha. Madje nën shembullin e tij edhe Ilir Meta ka linçuar atë copën e tij të opozitës duke fajësuar dhe ai ish- gruan e tij se i ka shitur partinë tek Edi Rama, bashkë me Lulzim Bashën.

Tani pasi e kanë sharë opozitën, pasi e kanë akuzuar si tradhtare dhe të shitur, kujtohen një moment që janë vet në krye të opozitës dhe do humbasin përsëri, dhe fillojnë e përgatisin skenën e justifikimit që nuk duhet fajësuar opozita.

Nuk e ka fajësuar njeri opozitën pse ka humbur përveç Berishës. Të tjerët që kanë fituar, kanë parë punët e tyre.

Madje Berisha është bërë qesharak, pasi zgjedhjet që i ka sharë si të shitura, i ka mbrojtur pasi janë kryer, se donte të mbronte Bashën, dhe vetëm kur ju prek interesi personal i ka sulmuar duke krijuar këtë psikozën e fajit të opozitës.

Tani ose duhet të pranojë që opozita nuk i ka shitur zgjedhjet siç akuzoi Bashën dhe t’i kërkojë falje atij, ose duhet të pranojë që kush humbet duhet të ikë.

Dhe është radha e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN