MENU
klinika

Mediat zbulojnë skemën!

Udhëheqësja e ekstremit të djathtë në Francë del në gjyq për akuzat për abuzim të fondeve të BE-së

30.09.2024 - 16:40

Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, dhe 22 nacionalistë të tjerë kanw dalw sot në gjyq, në Paris, me akuzën se kanë marrë fonde për staf inekzistent të Parlamentit Evropian.

Duke mbërritur në gjykatën në Paris, Le Pen tha se “ne nuk kemi shkelur asnjë rregull politik dhe rregullator të Parlamentit Evropian” dhe u zotua të paraqesë argumente jashtëzakonisht serioze dhe jashtëzakonisht të qëndrueshme në gjyq.

Le Pen, partia e së cilës ka zbutur qëndrimin e saj anti-BE në vitet e fundit, mohon keqpërdorimin dhe pretendon se rasti është i drejtuar politikisht.

“Asistentët parlamentarë nuk punojnë në Parlament. Ata janë asistentë politikë të zyrtarëve të zgjedhur, politikë sipas definicionit,” argumentoi ajo në mbrojtjen e saj. “Ju më pyesni nëse mund të përcaktoj detyrat që u kam caktuar asistentëve të mi, kjo varet nga aftësitë e secilit person. Disa shkruajn fjalime për mua, dhe disa merren me logjistikën dhe koordinimin.”

Tubimi Kombëtar dhe 27 zyrtarë të lartë të tij akuzohen se kanë përdorur paratë e destinuara për ndihmësit e parlamentit të BE-së për të paguar stafin që në vend të kësaj kanë kryer punë politike për partinë midis 2004 dhe 2016, duke shkelur rregulloret e bllokut 27-vendesh. Tubimi Kombëtar në atë kohë quhej Balli Kombëtar.

Nëse shpallen fajtore, Le Pen dhe të pandehurit e saj mund të përballen me deri në 10 vjet burg dhe gjoba deri në 1 milion euro (1.1 milion dollarë) secili. Dënime shtesë, si humbja e të drejtave civile ose mospërshtatshmëria për të kandiduar, gjithashtu mund të vendosen, një skenar që mund të pengojë, apo edhe të shkatërrojë qëllimin e Le Pen për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale pas përfundimit të mandatit të Macron.

Pavarësisht mohimit të saj, partia e saj tashmë i ka kthyer 1 milion Parlamentit Evropian, tha avokati i Parlamentit Patrick Maisonneuve. Nga kjo shumë, 330,000 euro ishin të lidhura drejtpërdrejt me keqpërdorimin e supozuar të fondeve nga Marine Le Pen.

Procedurat ligjore rrjedhin nga një alarm i vitit 2015 i ngritur nga Martin Schulz , presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian, drejtuar autoriteteve franceze rreth keqpërdorimit të fondeve evropiane nga anëtarët e Frontit Kombëtar.

Schulz gjithashtu ia referoi çështjen Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit, e cila nisi një hetim të veçantë për këtë çështje. Dyshimet e Parlamentit Evropian u shtuan më tej kur një grafik organizativ i vitit 2015 tregoi se 16 ligjvënës evropianë dhe 20 asistentë parlamentarë mbanin poste zyrtare brenda partisë – role që nuk kishin lidhje me detyrat e tyre të supozuara si staf parlamentar i BE-së.

Një hetim i mëpasshëm zbuloi se disa asistentë ishin të lidhur kontraktualisht me eurodeputetë të ndryshëm nga ata për të cilët punonin në të vërtetë, duke sugjeruar një skemë për të devijuar fondet evropiane për të paguar punonjësit e partisë në Francë.

Alexandre Varault, një zëdhënës i Tubimit Kombëtar i cili u zgjodh në Parlamentin Evropian në qershor, tha për Associated Press se Le Pen do të marrë pjesë në ditën e parë të gjyqit, duke shtuar se ai shpreson për lirimin e të gjithë të pandehurve.

Gjykatësit hetues arritën në përfundimin se Le Pen, si udhëheqëse e partisë, orkestroi ndarjen e buxheteve të asistencës parlamentare dhe udhëzoi eurodeputetët të punësonin individë që mbanin poste partiake. Këta persona prezantoheshin si asistentë të parlamentit të BE-së, por në realitet dyshohej se punonin për tubimin kombëtar në cilësi të ndryshme.

Ekipi ligjor i Parlamentit Evropian kërkon 2.7 milionë euro kompensim për dëmet financiare dhe reputacionin. Kjo shifër korrespondon me 3.7 milionë euro që dyshohet se janë vjedhur përmes skemës, minus 1 milionë eurot e paguara tashmë.

Gjatë zgjedhjeve evropiane të vitit 2014, Fronti Kombëtar fitoi një rekord prej 24 vendesh për eurodeputetë, duke përfunduar i pari me 24.8% të votave, përpara qendrës së djathtë dhe socialistëve. Kjo rritje rezultoi në një humbje të konsiderueshme financiare për partinë, e cila u përball me probleme të rënda financiare në atë kohë.

Një auditim i llogarive të partisë midis 2013 dhe 2016 zbuloi se ajo kishte një deficit prej 9.1 milionë euro deri në fund të 2016. Megjithatë, partia kishte ende një bilanc parash prej 1.7 milionë euro dhe kishte dhënë hua 1 milionë euro për Le Pen në 2017, gjatë fushatës presidenciale, duke mbajtur gjithashtu 87,000 euro kredi për Cotelec, shoqatën e saj financuese.

Në atë kohë, partia i kishte borxh edhe një banke ruse për 9.4 milionë euro, një kredi e marrë në vitin 2014 për 6 milionë euro. Hetimi zbuloi shumë parregullsi që përfshinin anëtarë të shquar të partisë.

Thierry Légier, truproja për një kohë të gjatë i babait të Le Pen, Jean-Marie, u rendit si ndihmësi i tij parlamentar. Por rezymeja e tij nuk i referohej këtij roli dhe ai nuk e përmendi atë në autobiografinë e tij të vitit 2012. Légier pranoi gjatë hetimit se ai nuk ishte intervistuar dhe nënshkroi kontratën e tij të punës pa e kuptuar plotësisht rolin e tij zyrtar.

Jean-Marie Le Pen , i cili udhëhoqi Frontin Kombëtar nga viti 1972 deri në 2011, nuk do të paraqitet në gjykatë së bashku me ish-kolegët e tij për shkak të shqetësimeve shëndetësore. Tani 96 vjeç, ai u konsiderua i papërshtatshëm për të dëshmuar në gjykatë në qershor. Ai ka 11 dënime të mëparshme, përfshirë për dhunë ndaj një zyrtari publik dhe gjuhë urrejtjeje.

Ai ka mohuar keqpërdorimin e fondeve gjatë kohës së tij si kryetar partie, duke deklaruar: “Nuk zgjodha se cilët asistentë do të më caktoheshin. Kjo u vendos nga Marine Le Pen dhe të tjerët. Unë kam nënshkruar vetëm kontratat”, tha ai.

Gjyqi nëntë-javor do të monitorohet nga afër nga rivalët politikë të Le Pen, pasi ajo është një pretendente e fortë në garën për të pasuar Emmanuel Macron kur të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme presidenciale në 2027.

Gjyqi për Le Pen vjen pasi një qeveri e re e dominuar nga centristët dhe konservatorët sapo erdhi në detyrë në vazhdën e zgjedhjeve legjislative qershor-korrik. Disa vëzhgues presin që gjyqi mund të parandalojë ligjvënësit e Tubimit Kombëtar, duke përfshirë edhe vetë Le Pen, që të luajnë plotësisht rolin e tyre opozitar në Parlament, pasi ata do të ishin të zënë duke u fokusuar në mbrojtjen e partisë.

Që prej dorëheqjes si udhëheqëse e partisë tre vjet më parë, Le Pen është përpjekur të pozicionohet si një kandidate kryesore e aftë për të tërhequr një elektorat më të gjerë. Përpjekjet e saj kanë dhënë rezultat, me partinë që ka bërë përparime të rëndësishme në zgjedhjet e fundit si në nivel europian ashtu edhe në nivel kombëtar. Por, një vendim fajësie mund të minojë seriozisht ofertën e saj për të marrë Elysee.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tensionet me Turqinë/ Greqia shpresat te BE

‘Le Monde’: Erdogan s’do heqë dorë nga qëllimet e tij!

Arrestohet lideri i protestuesve

“Jelekverdhët” morën fund?!

Sondazhet për zgjedhjet europiane

‘Mposhtet’ Macron, Le Pen kryeson në sondazhe


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin