Në fillim të qershorit vizitova Shqipërinë së bashku me bashkëshortin tim për pushime verore.
Përpara se të vizitonim plazhet e saj të njohura, ne u siguruam të përshkonim dhe shihnim Tiranën, kryeqytetin e saj, për të krijuar një ide të plotë se si ishte në të vërtetë ky vend, shkruan Stacey Leasca në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel+Leisure”.
Shqipëria është një perlë e fshehur në Evropë, e njohur për bukurinë e saj mahnitëse natyrore, historinë e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë.
Nga plazhet e pacenuara të Rivierës Shqiptare e deri te majat e thepisura të Bjeshkëve të Nemuna, vendi mesdhetar ka diçka për çdo vizitor.
Në verën e vitit 2024, Shqipëria përjetoi një bum vizitorësh – pasi një numër në rritje turistësh kishin zbuluar natyrën e saj të paprekur – dhe gjithashtu çmimet e saj relativisht të përballueshme.
E njohur për ujërat e saj të kristalta, bukurinë natyrore të pacënuar dhe vendet historike, nuk është çudi që Shqipëria po fiton popullaritet në mesin e vizitorëve.
Ndër të tjera, Shqipëria është një vend ku turistët priten ngrohtësisht. Vendi është tepër mikpritës dhe vendasit janë të njohur për mikpritjen e tyre.
Kostoja relativisht e ulët e jetesës dhe e udhëtimit ju vjen në ndihmë të gjithë vizitorëve me buxhet të limituar. Është një zgjedhje e shkëlqyer për udhëtime solo.
Më poshtë ne kemi renditur gjithçka që ju nevojitet për të planifikuar një udhëtim perfekt në Shqipëri:
Qytetet që duhen eksploruar:
Tirana
Tirana, kryeqyteti i gjallë i Shqipërisë, është një vend që vizitorët duhet të eksplorojnë.
Turistët mund të vizitojnë muzetë e tij mbresëlënës, të darkojnë në kafenetë e tij plot gjallëri – dhe madje të vizitojnë një nga 50 baret më të mira në botë për të shijuar një pije.
Dhe ndërsa ndodheni këtu, sigurohuni që të kaloni pak kohë duke eksploruar skenën e tij të artit, duke përfshirë një pasdite në muzeun unik Bunk’Art.
Berati
I njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”, Berati është një tjetër vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i vendosur në Shqipëri, i cili ia vlen të bëni një udhëtim ditor.
Në Berat, turistët mund të eksplorojnë arkitekturën e tij të ruajtur mirë osmane dhe të vizitojnë shtëpitë në kodër me dritaret e tyre të veçanta.
Vendet që nuk duhet të humbisni përfshijnë Kalanë e Beratit, ku mund të shijoni gjithashtu pamjen e mrekullueshme panoramike të qytetit.
Shkodra
Vizitoni Shkodrën në veri të Shqipërisë, një nga qytetet më të vjetra të vendit.
Qendra kulturore është gjithashtu shtëpia e shumë vendeve të njohura, si Kalaja e Rozafës.
Turistët mund të vizitojnë gjithashtu qendrën e saj historike, e cila është e mbushur me kafene, së bashku me muzetë si Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi – i cili paraqet një koleksion mbresëlënës fotografish historike të së kaluarës së Shqipërisë.
Aktivitetet që mund të bëni:
Shëtitje në Parkun Kombëtar të Thethit
Zhytuni në Nënën Natyrë në Parkun Kombëtar të Thethit, i vendosur në Alpet Shqiptare.
Është një destinacion i dashur me majat e tij masive, të thepisura, ujëvarat e mrekullueshme dhe luginat e harlisura.
Parku është i vogël në krahasim me parqet e tjera kombëtare në mbarë globin, me një sipërfaqe prej pak më shumë se 10 milje katrorë – por është shtëpia e një grupi fantastik bimësh dhe kafshësh, duke përfshirë 50 lloje zogjsh.
Vizitoni Syrin e Kaltër
Shkoni në anën e kundërt të vendit, në qytetin jugor të Muzinës, për të vizituar Syrin e Kaltër, një burim natyror që krenohet me ujërat më të kaltër në botë.
Syri i Kaltër, është një shpellë rreth 50 metra e thellë, e rrethuar nga ujërat blu elektrikë – që ngjan si një iris.
Ecni nëpër Qytetin e Gurtë
Gjirokastra, e njohur si “Qyteti i Gurtë”, është vendi ideal për adhuruesit e historisë. Vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në rajonin jugor filloi si një kështjellë e vetme e ndërtuar në shekullin e IV dhe evoluoi në një qytet të vogël në shekullin e XIX.
Sot, vizitorët mund ta vizitojnë ende kështjellën dhe Muzeun e saj të Armëve, të shëtisin rrugët e saj me kalldrëm dhe të futen në restorantet e saj të shijshme që shërbejnë ushqime tradicionale.
Vizitoni Muzeun Arkeologjik Kombëtar
Njihuni më shumë me historinë e Shqipërisë në Muzeun Arkeologjik Kombëtar, në Tiranë.
Ishte muzeu i parë që u hap pas Luftës së Dytë Botërore dhe është shtëpia e një koleksioni artefaktesh historike – që nga epoka e gurit deri në pushtimin osman – duke u ofruar vizitorëve një vështrim të shkurtër në çdo fazë të së kaluarës së vendit mesdhetar.
Plazhet më të mira:
Plazhet e Ksamilit
Ksamili është destinacioni më i njohur i plazhit në Shqipëri për një arsye: Është thjesht mahnitës!
Këtu, turistët do të gjejnë plazhe me rërë të bardhë të mbuluara nga ujërat bruz.
Në zonën e hotelit, vizitorët mund të qëndrojnë në plazh përpara akomodimit të tyre ose të paguajnë tarifa të vogla për të rrëmbyer një ombrellë në plazhet fqinje.
Por, gjithashtu mund të gjeni plazhe publike jashtë zonës së hotelit, duke përfshirë pika të fshehura poshtë shpateve të pjerrëta të maleve.
Plazhi i Dhërmiut
Rreth dy orë në veri të Ksamilit, turistët do të gjejnë një tjetër ambient të bujshëm buzë plazhit në Dhërmi.
Në fakt, këtu ka shumë vend për të gjithë – pasi plazhi i Dhërmiut është një nga më të gjatët në Rivierën Shqiptare.
Plazhi ofron një ndërthurje të guralecave dhe rërës së imët, kështu që të gjithë mund të gjejnë stilin e vijës bregdetare që u pëlqen.
Plazhi i Jalës
Po kërkoni pak paqe dhe qetësi? E gjeni në plazhin e Jalës.
I zhytur mes dy shkëmbinjve, plazhi i Jalës, i vendosur në veri të Himarës, njihet për atmosferën e tij intime.
Ujërat e tij të qeta e bëjnë atë një vend ideal për not dhe zhytje.
Megjithëse është edhe më i qetë dhe më i vogël se plazhet e zonave të tjera, pranë tij ndodhet një bar plazhi, ku mund të porosisni një meze të lehtë.
Koha më e mirë për ta vizituar:
Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë, është gjatë pranverës, nga prilli në qershor dhe nga fillimi i vjeshtës, nga shtatori në tetor.
Këto periudha ofrojnë mot të këndshëm, ideal për të eksploruar si plazhet ashtu edhe malet pa turma turistësh.
Gjatë kësaj kohe, vizitorët mund të shijojnë gjithçka që Shqipëria ka për të ofruar, duke përfshirë plazhet dhe malet e saj mahnitëse – ndërkohë që ato janë ende të ngrohta – por jo aq të nxehta sa ditët në mesin e verës.
Ka edhe shumë arsye të tjera për ta vizituar Shqipërinë gjatë gjithë vitit, duke përfshirë pjesëmarrjen në një nga festivalet e famshme të vendit si “Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë” i mbajtur në vjeshtë – dhe “South Outdoor Festival”, një festival masiv muzikor, i cili organizohet në maj.
Gjithashtu, mund të merrni pjesë në “Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës”, që mbahet çdo pesë vjet në qytetin historik të Gjirokastrës.
ATA