MENU
klinika

Problemet që ka hapur avokati francez

Zbardhen detajet nga dosja 500 faqëshe e SPAK për Berishën

14.09.2024 - 10:56

Të fuqishmit po bien një e nga një nga froni për pasuritë marramendëse që kanë vendosur nga hiçi. Në skanerin e drejtësisë së re është ish-kryeministrit Sali Berisha bashkë me familjen e tij. Në një dosje voluminoze që po heton SPAK, që në fillim ishte 200 faqe, tashmë ka shkuar 500, renditen të gjitha argumentet se si një politikan ka vënë shtetin në shërbim të familjes së tij. Ka ndryshuar ligje, ka ngritur agjenci e zyra, të gjithë në funksion personal. Madje ka bërë presion e shkarkuar nga detyra këdo që i ka dalë kundra. SPAK tashmë ka në duar paligjshmëritë e institucioneve dhe procedurat e dyshimta për tjetërsimin e pronës. Por jo vetëm kaq. Hetimi për të zbardhur dosjen për korrupsion dhe pasurim nëpërmjet pushtetit të Berishës është shtrirë deri në vitin 1995, madje në skanerin e SPAK janë futur, të gjithë familjarët e tij, deri te mbesat e ish-kryeministrit. Detaje se ku i ka përqendruar hetimet SPAK i ka dhënë së fundmi vetë Argita Malltezi, e cila sqaroi së fundmi në një intervistë televizive tre akuzat kryesore nga dosja 500 faqëshe e SPAK ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe bashkëshortit të saj.

Ku i ka përqendruar hetimet SPAK

SPAK ka futur në sitë edhe pagesat që Berisha ka bërë për të hapur procesin gjyqësor në Paris ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Malltezi tha se procesi gjyqësor është hapur nga 4 persona dhe jo vetëm nga Berisha, por duke qenë se dikush duhej të paguante shpenzimet, atë e ka bë Sali Berisha. Tre të tjerët do duhet të kthejnë pjesën e detyruar. Por jo vetëm kaq, Berisha duhet të japë llogari dhe për lekët që i dha avokatit të tij francez, i cili u raportua nga mediat në momentin kur u hap gjyqi se qindra mijëra euro është shifra më e ulët që mund të kërkonte avokati i njohur në këmbim të shërbimeve të tij, dhe këtë herë ‘fatura e kripur’ u pagua nga ish-kryeministri Berisha. Nga ana tjetër, Argita Malltezi përmendi dhe disa shpenzime për shërbime shëndetësore të familjes së saj, ku tregoi se nuk është krim që ajo si e bija e tyre të paguajë për prindërit. Në këtë rast hetimet e SPAK mund të zgjerohen dhe aty mund të dalin dhe provat që kanë në dosje britanikët.

Si do të dalë emri Argitës?

Sali Berisha në tetë vitet e qeverisjes së tij, katër vite me aleatët e djathtë dhe katër vite me Ilir Metën, ka dhënë gjithçka me koncesion, duke filluar nga Porto Romano e deri te ‘Pullat Fiskale’. Dhe gjatë tërë kësaj periudhe ka qënë vetëm një partner i besueshëm me të cilin ka bashkëpunuar ngushtë, miku i tij serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Kuptohet bashkë me të kanë qenë ndërmjetës dhe përfitues direkt dhe fëmijët e ish kryeministrit. Në dosjen britanike, biznesmeni dhe Berisha përfituan 1,75 milionë euro nga shitblerja e tokave në zonën e Porto Romanos, pasi kishin informacion paraprak se zona do shndërrohej në park energjetik.

Më pas një investigim i BIRN zbuloi se vajza e Sali Berishës dhe kolegia e saj avokate, Flutura Kola, mund të kenë fituar më shumë se një milionë euro nga shitja e një toke të pavlerë bujqësore në zonën e Porto Romanos në Shqipëri për klientin e tyre Fazlliç. Shpejt pas transaksioneve, kryeministri Berisha e përfshiu pronën e Fazlliç në Porto Romano në një park energjetik, duke i hapur rrugë rafinerive dhe termocentraleve, si dhe duke e rritur çmimin e tokës tetë herë gjatë viteve pasuese. Një tjetër rast në dosjen e britanikëve është bashkëpunimi vajzës së Berishës me biznesmenin pakistanez Zafar Ansar.

“Rasti tjetër është për një investitor pakistanez, bazuar në një artikull tjetër të BIRN dhe të mafies së Sorosit. Është e vërtetë që ky biznesmen ka qenë klient i studios së vajzës sime, por ajo ia ka bërë të qartë se do i ofronte konsultim për çdo procedurë private, pa asnjë lidhje me qeverinë. Ai i konfirmon se nuk i intereson partneriteti me qeverinë”, tha Berisha. Por si qëndron e vërteta? Vetë biznesmeni e ka deklaruar në media se Argita i kishte kërkuar atij para.

“Argita më ofroi shërbimet e saj dhe unë rashë dakord të bashkëpunoja me të. Ajo më dërgoi marrëveshjen për të siguruar pagesat e saja për shërbimet ligjore, përveç të cilave kërkonte edhe 3% si tarifë suksesi. Unë nuk e nënshkrova këtë marrëveshje, pasi e konsiderova si ryshfet”, ka deklaruar ai. Pra SPAK me hetimet pasurore që ka hapur ndaj familjes “Berisha” mund të shkojë në afera të tjera.

Fondacioni i Liri Berishës

Përveç kësaj, në dosjen 500 faqe, Argita përmendi edhe një pagesë për fondacionin e Liri Berishës. Sipas Argita Malltezit, nëna e saj nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondacioni dhe se çdo para shkon për trajtimin e fëmijëve në nevojë. “Data më e hershme nga këto që citojnë, data më e hershme është 2014. Kanë përmendur trajtime shëndetësore. Kemi paguar shpenzime financiare kur mamaja ime është trajtuar për shëndetin dhe nuk kam shkuar në bankë të marr paratë. Prindërit më kanë thënë merri paratë në bankë, por unë i kam paguar vetë. Sigurisht që nuk është ndonjë arsye për të akuzuar Berishën. Përfitim tjetër që ka të bëjë me fondacionin… nga fitimi vjetor i bizneseve, pasi paguhen të gjitha taksat, ne paguajmë 2.5 përqind vazhdimisht zekatin pjesën që na takon sipas besimit tonë, dhe këtë e kemi paguar një pjesë për fondacionin dhe ka kaluar me bankë edhe kjo. Kur e bën njëra dorë nuk e tregon tjetra, po a ka logjikë të sëmurë, kur ne heqim nga paratë tona, i japim në një fondacion, ku ime më nuk merr asnjë rrogë, nuk ka marrë kurrë asnjë shpërblim për punën që kryern aty.

Fondacioni nuk është privat i Liri Berishës, ajo është sot drejtuese në Fondacion, por fondacioni do vijojë, nesër do mbetet, do ketë drejtues të tjerë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe kompania “Homeplan” për fonacionin. Nga 500 faqe të dosjes, 100 faqet e para janë njësoj si 100 faqet e fundit, 200 faqe janë vendimi i arrestit dhe pjesa tjetër janë ujëra vetëm për të zgjatur fjalitë kotë dhe pa asnjë lloj prove,” tha Malltezi. Po ashtu, përmendi edhe një pagesë për fondacionin e Liri Berishës. Sipas Argita Malltezit, nëna e saj nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondacioni dhe se çdo para shkon për trajtimin e fëmijëve në nevojë.