Presidenti rus, Putin po kërcënon të kufizojë eksportet e lëndëve të para të rëndësishme si përgjigje ndaj sanksioneve perëndimore. Kjo do të ishte e dhimbshme për SHBA-në dhe BE-në – sepse këto shtete janë pjesërisht të varura nga Rusia. “Furnizimi me një numër mallrash tek ne po kufizohet, dhe ndoshta ne duhet të mendojmë për kufizime të caktuara, për shembull me uranium, titan dhe nikel”, tha presidenti rus Vladimir Putin në mesin e shtatorit dhe udhëzoi qeverinë të shqyrtojë kufizimet e eksportit.
Në vitin 2022, Kremlini u përpoq të ushtronte presion mbi Evropën për dërgesat e gazit. Qëllimi ishte të minonte ndihmën perëndimore për Ukrainën, e cila i reziston luftës agresiore të Rusisë. Kërcënimet e reja nuk janë krejtësisht të parrezikshme, pasi SHBA dhe BE i importojnë lëndët e para të lartpërmendura në sasi të mëdha nga Rusia.
Çfarë roli luan uraniumi rus?
Nuk është rastësi që Putini përmendi të parin uraniumin. Kompania shtetërore Rosatom zotëron mbi 40 për qind të tregut global të uraniumit të pasuruar për termocentralet bërthamore. Askush tjetër nuk ofron uranium të tillë me cilësi të lartë dhe me pasurim të ulët për reaktorët e gjeneratës së re. Kompania amerikane Centrus Energy ishte e para që filloi pasurimin e uraniumit vetë në fund të vitit të kaluar, por vëllimet e prodhimit do të mbeten modeste për një kohë të gjatë. Biznesi kryesor i Centrus Energy është furnizimi me uranium të pasuruar, të cilin e merr nga Rosatom.
Në tregun amerikan Rosatom zotëron më shumë se 20 përqind, në BE rreth 30 përqind. Si blerësi më i madh i uraniumit të pasuruar nga Rusia, SHBA i sjell Rosatom gjysmën e xhiros së fitimit jashtë, rreth dy miliardë dollarë amerikanë në vit. Furnizimet me uranium të Rosatom në BE arrijnë në rreth 500 milionë dollarë amerikanë. Rosatom gjithashtu furnizon karburantin e gatshëm për termocentralet bërthamore të tipit sovjetik dhe rus si edhe ofron shërbime të ndryshme. Sipas informacioneve të saj, kompania nga shitjet globale nRusia,Bota,SHBA,BE,lëndët e para, metalet e rralla,uraniumi,nikeli,titani,varësia nga Rusia total prej 16.4 miliardë dollarë amerikanë mbi katër miliardë dollarë amerikanë i gjeneroi në vendet perëndimore në vitin 2023.
Mënjanohen sanksionet?
Anulimi i biznesit do të ishte i dhimbshëm për të dyja palët. Deri vonë, Rosatom ishte një nga kompanitë e pakta ruse që nuk i nënshtroheshin sanksioneve perëndimore. Në të njëjtën kohë, megjithatë në Perëndim e kanë të qartë se varësitë nga Rusia në drejtim të energjisë bërthamore duhet të reduktohen. Vetëm presidenti hungarez Viktor Orban e sheh ndryshe këtë.
Përveç Rosatom-it, uranium në sasi të mëdha pasurojnë edhe dy kompanitë evropiane Urenco dhe Orano. Të dyja po zgjerojnë kapacitetin e tyre për të rritur furnizimet në tregun e rëndësishëm amerikan. Nëse kjo do të ketë sukses, SHBA mund të heqë dorë nga dërgesat ruse në rreth pesë vjet dhe BE-ja pak më vonë, thotë Dmitry Gorchakov, ekspert bërthamor në organizatën ndërkombëtare mjedisore Bellona.
Kohët e fundit, kompanitë amerikane kanë importuar gjithnjë e më shumë uranium të pasuruar nga Kina. Ky është ndoshta uraniumi rus që rishitet, pasi dërgesat e Rusisë për partnerin e saj më të rëndësishëm tregtar Kinën janë rritur ndjeshëm që nga viti 2022. Kjo tregon se pavarësisht sanksioneve, lëndët e para ruse mund të arrijnë në tregun amerikan edhe nëpërmjet Kinës ose vendeve të tjera.
Si qëndron puna me prodhimin e titanit?
Prodhimi i titanit në Rusi është pothuajse tërësisht në duart e VSMPO-Avisma, një kompani me bazë në qytetin Verkhnyaya Salda në Ural, lidere në këtë fushë. Ajo zotëron rreth 15 për qind të prodhimit global të sfungjerit të titanit, një lëndë e parë nga e cila derdhen shufrat e titanit. Megjithatë, më shumë se gjysma e sfungjerit të titanit të disponueshëm në mbarë botën prodhohet në Kinë, pak më pak se një e katërta në Japoni dhe pothuajse dhjetë për qind në Kazakistan.
Ashtu si Rosatom, VSMPO-Avisma gjithashtu preket nga sanksionet e SHBA-së, por jo nga sanksionet e BE-së. Para luftës në Ukrainë, klientët kryesorë të VSMPO-Avisma jashtë vendit ishin kompania amerikane Boeing dhe prodhuesi evropian i avionëve Airbus. Kompania ruse mbuloi rreth një të tretën e nevojave të Boeing për titan dhe më shumë se gjysmën e nevojave të Airbus. Pas fillimit të luftës në pranverën e vitit 2022, Boeing njoftoi se do të ndërpresë bashkëpunimin me VSMPO-Avisma, dhe Airbus e bëri këtë në dhjetor të atij viti.
Më parë, kreu i Airbus, Guillaume Faury, ishte shprehur kundër masave ndëshkuese pasi kjo do të përbënte sanksione kundër tij. Duke pasur parasysh proceset komplekse të prodhimit në industrinë e hapësirës ajrore dhe varësitë ekzistuese, është pothuajse e pamundur të kalosh pa probleme tek furnizues të tjerë.
Megjithatë, në kushte të caktuara, kompanitë amerikane lejohen të bashkëpunojnë me VSMPO-Avisma. Edhe sanksionet e Kanadasë kundër kompanisë ruse parashikojnë përjashtime, si për prodhuesit e avionëve Bombardier dhe Airbus. Shumë furnizues të Boeing, duke përfshirë prodhuesin francez të komponentëve Safran dhe prodhuesin britanik të motorëve Rolls-Royce, vazhdojnë gjithashtu të marrin titan nga Rusia. Airbus e bëri këtë të paktën deri në nëntor 2023, të dhënat më të fundit tregtare nga baza e të dhënave ImportGenius nuk janë të disponueshme. Eksportet e VSMPO-Avisma në Evropë arritën në 345 milionë dollarë në 2023 krahasuar me 370 milionë dollarë vitin e mëparshëm.
Në kontrast me BE-në, SHBA mund të zvogëlojë më lehtë varësitë nga Rusia, sepse ka kompani që përpunojnë sfungjer titani të importuar, shpjegon Andy Home, ekspert për metalet e rralla dhe kolumnist për agjencinë Reuters. Realisht BE-ja është gjithnjë e më e varur nga SHBA-ja për titan, gjë që bie ndesh me ligjin e BE-së për lëndët e para kritike të miratuar këtë vit. Por BE-ja nuk ka zgjidhje tjetër për momentin.
Kush ka nevojë për nikelin rus?
Një nga prodhuesit më të mëdhenj të nikelit në botë, kompania ruse Norilsk Nikel shpëtoi nga sanksionet për një kohë të gjatë. SHBA dhe Britania e Madhe vendosën kufizime vetëm një muaj më parë, diçka që BE-ja nuk e ka bërë ende.
Por eksportet e kësaj kompanie kishin ndryshuar që me fillimin e luftës. Në vitin 2021, mbi 50 për qind e shitjeve të Norilsk Nickel shkonin për Evropën dhe 16 për qind të tjera për Amerikën Veriore dhe Jugore. Pjesa e Azisë ishte vetëm 27 për qind. Në vitin 2023, pjesa e shitjeve për Evropën ra në 24 për qind dhe ajo e Amerikës së Veriut dhe e Jugut ra në dhjetë për qind. Kurse shitjet në Azi u rritën në 54 përqind.
Por riorientimi nga Perëndimi në Lindje nuk është sfida e vetme për këtë kompani ruse. Kërkesa për nikel është rritur ndjeshëm vitet e fundit pasi lënda e parë nevojitet për të prodhuar bateritë litium-jonike për automjetet elektrike. Luhatjet e çmimeve ndodhën jo vetëm për shkak të frikës së sanksioneve kundër eksporteve ruse. Sot çmimi është më i ulët se sa ishte përpara fillimit të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Një arsye për këtë është se Indonezia, e cila ka rezerva dukshëm më të mëdha të nikelit se Rusia, hyri papritur në këtë treg.
Për këtë arsye perspektivat e kompanisë ruse, Norilsk Nikel në biznesin e nikelit janë të paqarta, thotë Andy Home nga Reuters. Putin e paralajmëroi qeverinë e tij që të jetë e kujdesshme që të mos bëjë asgjë në dëm të vetin, kur shqyrton kufizimet e mundshme të eksportit për lëndët e para ruse. Të paktën përsa i përket nikelit, Rusia nuk do të jetë në gjendje ta përdorë këtë lëndë të parë si një armë gjeopolitike.