MENU
klinika

Ballkani më shpejt në BE prej tensioneve gjeopolitike?

Analiza e DW: Marrëdhëniet me Rusinë si vijë demarkacioni!

31.10.2024 - 10:10

Komisioni i BE-së prezantoi raportin vjetor të zgjerimit. Përveç vullnetit për reforma në disa vende, Komisioni vëren edhe ngecje të procesit.

Konsideratat gjeostrategjike – si agresioni rus në Ukrainë dhe sferat e mundshme të ndikimit rus – po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimet e fundit në procesin e zgjerimit të BE-së. “Situata e tensionuar gjeopolitike e bën më të domosdoshme se kurrë që të përfundojmë ribashkimin e kontinentit tonë nën vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen me rastin e prezantimit të raportit vjetor të zgjerimit.

Në këtë raport Komisioni i BE-së bën një pasqyrë të zgjerimit të BE-së dhe jep rekomandime për hapa të mëtejshëm. Këto duhet të vendosen më pas nga Këshilli, në të cilin bëjnë pjesë të gjitha shtetet anëtare.

Marrëdhëniet me Rusinë si vijë demarkacioni

Në konferencën për shtyp Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, theksoi shumë të qartë një pikë: “Nuk mund të vazhdosh të kesh marrëdhënie me Rusinë ose të përpiqesh të vazhdosh si më parë dhe të presësh që vendi të bëhet anëtar i BE.”

Kur bëhet fjalë për politikën e jashtme, disa vende, si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe vullnetarisht edhe Kosova, janë tashmë plotësisht në përputhje me vijën e BE-në.

Mali i Zi dhe Shqipëria

Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi është aktualisht përpara kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE. Ky vend gjendet në fazën përfundimtare, e cila përfshin mbylljen e kapitujve që tashmë janë negociuar, shpjegoi komisioneri i zgjerimit të BE, Oliver Varhelyi. Pyetjes se kur do të hartohej marrëveshja e zgjerimit, ai tha se nuk mund të jepte ndonjë datë të caktuar.

BE dhe Shqipëria po negociojnë aspektet përmbAjtësore të anëtarësimit të ardhshëm që nga muaji tetor. Në raportin e saj BE i kërkon Shqipërisë të përshpejtojë reformat përkatëse, por rekomandon gjithashtu hapjen e kapitullit të negociatave për politikën e jashtme.

Serbia dhe Kosova

Nga Serbia Komisioni i BE-së dëshiron ndër të tjera që ky vend ta përshtasë politikën e tij të jashtme me qëndrimet e BE-së – p.sh. në rastin e sanksioneve kundër Rusisë. Duke theksuar nevojën për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Komisioni u shpreh edhe për hapjen e kapitujve të mëtejshëm të negociimit.

Për Kosovën, e cila mbetet kandidate potenciale për anëtarësim, Komisioni i BE-së kërkon veçanërisht forcimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike. Nëse Këshilli i jep atij mandatin, ai është i gatshëm të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për procesin e anëtarësimit.

Maqedonia e Verit dhe Bosnje-Hercegovina

As Maqedonia e Veriut dhe as Bosnje-Hercegovina nuk janë në fazën përmbajtësore të negociatave. Sipas Komisionit të BE-së Maqedonia e Veriut ka nevojë për reforma të mëtejshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, sistemit të drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit.

Bosnje-Hercegovina duhet gjithashtu të zbatojë rekomandimet e BE-së përpara se të zbatohen hapat e ardhshëm zyrtarë për fillimin e negociatave./DW

“Po shkojmë drejt konfliktit global”

Putin kërcënon SHBA-të: Nëse vijoni provokimet…!

Kremlini kërcënon me armët bërthamore

Shumë ekspertë mendojnë se Putin po luan “blofin”

Nga fansi i Putinit tek “Dr. Oz”

Më të rrezikshmit në kabinetin e Donald Trump

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!

SPD në krizë: Olaf Scholz apo Boris Pistorius

Cilin do të zgjedhin kancelar në zgjedhjet e 23 shkurtit?