Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s ka rritur vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3 – e qëndrueshme” nga “B1 – pozitive”, duke theksuar përmirësim e profilit të kreditit të vendit si rezultat i forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve ekonomike dhe fiskale.
Moody’s parashikon një rritje të qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme, të nxitur nga financimet e Bashkimit Evropian dhe zbatimi i reformave përkatëse. Investimet e huaja direkte, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe energjisë, pritet të luajnë një rol kyç, ndërsa transformimet sektoriale synojnë të nxisin produktivitetin. Këto ndryshime pritet të përmirësojnë ekonominë duke zhvendosur fuqinë punëtore nga bujqësia drejt sektorëve më produktivë, si turizmi. Për më tepër, një rritje e qëndrueshme e pjesëmarrjes në tregun e punës do të zbusë sfidat demografike të popullsisë.
Vlerësimi i Moody’s thekson përmirësimin e pozicionit fiskal të vendit, të nxitur nga rritja e qëndrueshme ekonomike e kombinuar me një ulje të konsiderueshme të deficitit fiskal. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është ulur ndjeshëm që nga niveli më i lartë i regjistruar në vitin 2021 dhe parashikon një ulje të mëtejshme graduale në periudhën afatmesme, të mbështetur nga zbatimi i reformave fiskale. Raporti i borxhit ndaj PBB-së ra në 57.5% në vitin 2023, duke shënuar nivelin më të ulët që nga viti 2008. Agjencia parashikon një rënie të mëtejshme të raportit të borxhit ndaj PBB-së në 54.3% në vitin 2025 dhe, në mungesë të goditjeve, të zbresë nën 50% deri në vitin 2029.
Moody’s thekson gjithashtu angazhimin e autoriteteve shqiptare për të respektuar rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat përfshijnë një bilanc primar jo negativ dhe një ulje të qëndrueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së çdo vit derisa të arrijë në 45% të PBB-së.
Agjencia vlerëson ecurinë e reformave fiskale, përfshirë miratimin e mundshëm të strategjisë afatmesme të të ardhurave deri në fund të këtij viti, si dhe përmirësimet në menaxhimin e investimeve publike.
Për më tepër, Moody’s vlerëson gjithashtu se financimet nga BE-ja dhe zbatimi gradual i reformave të mëtejshme të lidhura me procesin e anëtarësimit në BE do të kontribuojnë pozitivisht në profilin e kreditit të Shqipërisë. Ritmi i reformave ka të ngjarë të forcohet me përparimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, kontrollit të korrupsionit dhe llogaridhënies. Integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, pritet të përmirësojë potencialin e rritjes ekonomike në afatmesëm dhe eventualisht të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE-së.