MENU
klinika

Nga Mero Baze

Arsyeja përse Ilir Meta u arrestua sot, natyrisht është politike

21.10.2024 - 22:00

Arsyeja përse arrestimi i Ilir Metës ndodhi sot dhe jo më parë, natyrisht që është arsye politike. Po të mos ishte politika në mes, Ilir Meta dhe Sali Berisha do të ishin para drejtësisë dy dekada më parë. Sali Berisha kur u arrestua nga Ilir Meta në mes të rrugës dhe u hoq zvarrë, apo më pas në Gërdec e më 21 Janar, dhe Ilir Meta kur u shfaq më zë dhe figurë para shqiptarëve më 2011.

Nëse në Shqipëri do të kishte drejtësi, dhe nuk do kishin mbrojtje politike, Gjykata do ta arrestonte Ilir Metën, dhe do bëhej shembull i ndëshkimit nga shteti ligjor. Pas kësaj, Sali Berisha nuk do detyrohej të vriste në bulevard për të, dhe më pas Gjykata e Lart nuk do detyrohej të thoshte që kaseta e Ilir Metës nuk ekziston, pasi pa Sali Berishën të darkonte deri në mesnatë në shtëpinë e tij.

Pra momenti më i mirë, i cili mund të ishte shembulli më i mirë i ndëshkueshmërisë së një politikani, për të u kthye në simbol të mosndëshkueshmërisë.

Mënyra se si drejtësia varrosi çështjen “Ilir Meta” dhe më pas vrasjet e 21 janarit që ndodhën po për shkak të zemërimit ndaj asaj që po ndodhte me Ilir Metën, çimentuan në Shqipëri monumentin e pandëshkueshmërisë së politikanit shqiptar, sidomos atë të niveleve të larta.
Madje për ta konsoliduar më tej këtë model, Ilir Meta tradhtoi Sali Berishën u bashkua me Edi Ramën dhe kapi dhe dy maja të tjera të larta pushteti, duke u bërë Kryetar i parlamentit dhe President i Republikës.

Ne të gjithë pranuam që Ilir Meta të amnistohej politikisht.

E pranoi Edi Rama që e bëri aleat politik, e pranoi shoqëria dorëzuar para korrupsionit, e pranoi PD dhe Berisha të cilët e quajtën aleancën e Ramës me Metën si aleancë qelbësirash dhe më 2017 e ribënë përsëri aleat, e pranoi drejtësia e cila dukej se hoqi dorë përfundimisht nga ndëshkimi i politikës.

Kur Sali Berisha tentoi të përçajë koalicionin Rama-Meta më 2015 duke hapur çështjen CEEZ DIA në parlament, Ilir Meta ia përmendi djalin e tij Shkëlzen Berisha, duke i thënë se ka dhënë një dorëheqje prej tij, dhe nuk jep përsëri.

Për fat gjërat filluan të ndryshojnë pikërisht atëherë.

Bashkimi Evropian dhe SHBA, vendosën të mbështesin në Shqipëri, krijimin e një sistemi të drejtësie për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikës shqiptare. Nën presionin e fortë të Perëndimit dhe shpresat e rreme se mund ta kapnin sistemin rrugës, politikanët shqiptarë votuan me 140 vota për Reformën e re në Drejtësi.

Për hir të së vërtetës, dy nga njerëzit më të kthjellët për atë që i priste në ato momente ishin ilir Meta dhe Sali Berisha, të cilët ishin tmerrësisht kundër, por besuan se fuqia e tyre politike do rritej dhe ata do ta kontrollonin sistemin që po miratonin.

Pas tetë vitesh nga ai votim, Shqipëria ka sot një institucion autoritar të drejtësisë, i cili po çon para drejtësisë çdo politikan të lartë që po i del përpara. Shumica e tyre janë socialistë. Ata e kanë pranuar këtë reformë dhe natyrsht po pranojnë dhe ndëshkimet prej saj.
Ilir Meta dhe Sali Berisha duartrokasin çdo ditë arrestime te socialistëve dhe pastaj mërziten pse janë ngritur akuza dhe për Ilir Metën dhe Sali Berishën.

Përpjekja për ta quajtur marrjen e tyre në ndjekje penale si ndëshkim politik, është e vërtet vetëm në një pikë, që ata janë mbrojtur politikisht deri tani. Tani nuk ka kush t’i mbrojë më politikisht.

Dhe akoma më të shqetësuar janë që arrestimi i Ilir Metës me brutalitet, nuk ka prodhuar “mosbindje civile” në rrugët e Tiranës. Sali Berisha që bën si shqetësuar për këtë gjë që e ka hequr vetë nën lëkurë nga ilir Meta, po kërkon të testojë me arrestimin e Ilir Metës, reagimin që do ketë kur të arrestojnë atë. Ndaj është kaq i dëshpëruar.

Pas 21 Janarit, Ilir Metën e mbrojti Sali Berisha duke i shkuar për darkë në shtëpi një ditë para vendimit të Gjykatës së Lartë për të. Pastaj të dy bashkë ngritën komision hetimor kundër Prokurorisë së Përgjithshme, Presidentit e gazetarëve për të mos u hetuar për 21 Janarin. Pastaj filluan t’i nxjerrin lakrat njëri- tjetrit, ngaqë u përçanë politikisht disa kohë.

Tani politika nuk pi më ujë. Ajo i mbrojti sa mundi .

Të dy kanë në politikë prej vitit 1990, dhe Shqipëria u ka dhënë gjithçka çfarë mund t’i japë një politikani, i ka bërë deputetë, presidentë, kryeministra, dhe miliarderë.

Tani ata kanë fatin të përballen me atë që i kanë bërë Shqipërisë. E di që nuk turpërohen për çfarë i kanë bërë Shqipërisë si “burra shteti”, por të paktën mos turpërohen si “burra grash” kur u shqiptohet emri nga prokurori.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin

Gjesti simbolik për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani

Fotolajm/ Hidhet bojë e kuqe mbi fëmijët dhe në rrugë

Audi i përdorur nga atentatorët i vjedhur në Tiranë 1 vit më parë

Vrasja e djalit të ish-gjyqtarit, detaje nga ekzekutimi mafioz!

Sërish lëvizje në Policinë e Shtetit

Ndryshojnë disa nga zëvendës drejtuesit në qarqe!