Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar pas arrestimit të Ilir Metës dhe babait të saj, Pirro Xhixho.
Arrestimin e presidentit të PL-së ajo e cilësoi akt banditesk dhe hakmarrje politike.
Ndër të tjera u zotua se “do të rrisë forcën dhe vendosmërinë për përballjen me këtë regjim”.
Postimi i Erisa Xhixhos:
ARRESTIMI BANDITESK I ILIR METËS, AKT QË TURPËRON SHQIPËRINË
I turpshëm dhe banditesk akti terrorist i ideuar nga kryeministri Edi Rama dhe i ekzekutuar nga segmente okulte të Policisë së Shtetit ndaj ish-presidentit të Republikës dhe kreut të Partisë së Lirisë.
Një shfaqje e tillë në mes të rrugës dhe pengmarrje politike e ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Kuvendit tregon qartë se shteti policor është fytyra e këtij regjimi dhe krimit të organizuar që qëndron pas tij.
Sot u dha provua e radhës se drejtësia është në duart e Edi Ramës, i cili e përdor si vegël për hakmarrje ndaj rivalëve politikë.
Partia e Lirisë nuk dekurajohet nga një atentat i tillë ndaj demokracisë, por do të rrisë forcën dhe vendosmërinë për përballjen me këtë regjim kriminal.