MENU
klinika

"Sfidë serioze emigrimi!"

Banka Botërore: Kapitali njerëzor bërthama e zhvillimit të Shqipërisë

18.10.2024 - 18:20

Ekonomia e Shqipërisë po rritet, varfëria po ulet, investimet po shtohen dhe turizmi po zhvillohet shpejt, por sfidat për vendin janë përtej këtyre bilanceve. Banka Botërore këshillon qeverinë të investojë në kapitalin njerëzor pasi sfidë e fortë për Shqipërinë është emigrimi kryesisht i të rinjve dhe rënia e popullsisë.

“Ne duhet të investojmë në kapitalin njerëzor në Shqipëri. Kapitali njerëzor është bërthama e trajektores së zhvillimit të Shqipërisë në të ardhmen”, u shpreh Emanuel Salinas.

Në konferencë Shefi i Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas përsëriti edhe një herë se duhet të merren masa për të frenuar emigrimin.

“Kur flasim për kapitalin njerëzor nuk kemi të bëjmë vetëm me arsimin, ku shikoj shumë potencial për përmirësim. Por duhet të forcohet edhe shëndetësia. Të forcohet mbrojtjen sociale”, tha Salinas.

Në raportin ekonomik për Ballkanin Perëndimor thuhet se dy shtetet më të prekura nga emigrimi janë Bosnje Hercegovina dhe Shqipëria, të cilat kanë jashtë vendit respektivisht 34% dhe 32% të popullsisë.

Po ashtu Banka Botërore evidenton faktin që në dekadën e fundit është rritur ndjeshëm numri i të arsimuarve që kanë emigruar. Për këtë arsye u sugjerohet shteteve që të marrin masa jo vetëm për të frenuar emigrimin por edhe për të rikthyer të larguarit, dhe të mos jenë remitancat e vetmja e ardhur prej tyre.

“Kthimi i migrantëve me aftësi të larta mund të përfaqësojnë gjithashtu një mundësi të “përfitimit të trurit” për vendin. Vetë emigrantët shpesh fitojnë aftësi të reja jashtë shtetit, të cilat përkthehen pozitivisht në vend kur të kthehen”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Në vlerësimin e fundit për vendet e Ballkanit thuhet se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.3% këtë vit, e ndikuar kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi, ndërsa në vitin që vjen do arrij në 3.4%.