MENU
klinika

Gazetari Artan Hoxha zbardh të tjera detaje nga masakra

Çfarë ka brenda kaseta e fshehtë që dorëzoi në SPAK?

09.10.2024 - 11:40

Gazetari i njohur, Artan Hoxha ka komentuar situatën politike në vend. Teksa ishte i ftuar dje në një media, ai fillimisht ka folur lidhur me “21 Janarin”. Lidhur me audio-përgjimin dhe pamjet gazetari Hoxha deklaroi se para se të fshihej, serveri është kopjuar. Në lidhje me vrasjet e katër protestuese të 21 janarit, zoti Hoxha theksoi se nuk janë kryer nga pakujdesia, ndërsa shtoi se vendimi i dhënë nga gjykata shqiptare nuk është e drejtë. “Është një audio regjistrim një person që ka pasur akses në komunikimin e kanalit të sigurt, të drejtuesve të lartë të Gardës. Ata kishin një kanal të veçane që komunikonin, një person ka pasur akses dhe ka regjistruar atë. Janë regjistruar komandat dhe urdhrat e dhëna. Garda e Republikës… edhe dje që ishte protesta kanë komunikuar në radio.

Kjo për të verifikuar nëse urdhrat kanë qenë në përputhje me ligjin. Ndaj dhe Kryeministria u mbush dje me kamera. U lyen dhe shtyllat me graso, se protestuesit ngjiteshin atje dhe i hiqnin. Serverat e 21 janarit u fshinë. Ata e panë, bënë një kopje dhe e fshinë. Serveri i Gardës u tha se nuk filmonte. Kjo është një masë sigurie. Thuhet se vrasjet janë kryer nga pakujdesia. Kur ka qëlluar komandanti i Gardës, kur ka qëlluar shefi i shtabit, që janë të stërvitur… kjo do të thotë që nuk kanë qenë vrasje nga pakujdesia. Vrasjet nuk janë nga pakujdesia, vendimi i dhënë nga gjykata shqiptare nuk është i duhuri”, deklaroi ai.

Detaje nga dosja në SPAK

Më tej gazetari Hoxha ka folur për dorëzimin e kasetës me audioregjistrim në SPAK për “21 Janarin”. Ai ka folur për përmbajtjen që ka kaseta, dhe sipas tij për urdhrin që është dhënë për të qëlluar me armë ndaj protestuesve. “Vrasjet nuk erdhën nga policia, materiali tregon cili është instruktazhi që jep drejtuesi i Gardës, që vjen me shkallëzim, ata kanë qenë të instruktuar më parë. Në momentin kur thotë “bëni armët gati kur t’u them unë do qëlloni në mish”, po të kishte zgjatur dhe 10 sekonda të tjera do ishte bërë kasaphanë. Dhe kaq sa janë vrarë ka qenë dhe kjo me fat, se mund të ishin vrarë dhe 13 të tjerë që kanë qenë të plagosur rëndë.

Zjarri është hapur në një gjerësi për të krijuar një kordon sigurie. Nuk e kuptoj pse duhej hapur zjarr në atë momentin, kur protesta ishte në shuarje, protestuesit kishin nisur të largohen. Kishte shumë elementë që dëshmonin se protesta ishte drejt rënies së intensitetit të saj. Në momentin kur i jepet urdhri ‘qëllo’ komandantit të njësisë speciale, para urdhrit komandanti i Gardës thotë ‘bëni armët gati dhe kur të them unë do qëlloni në mish’, dhe i thotë ‘ky është urdhër’. Për 7 sekonda dëgjohen breshëritë MP5, 8 të shtëna, dhe pastaj jep urdhër ‘ndaloni’ dhe me gjakftohtësi nuk flitet fare për pasoja, dhe kërkron municion shtesë sepse e kanë konsumuar.

Pse Berisha është përgjegjës? Sepse pas ngjarjes doli dhe tha ‘vrasjet janë bërë nga opozita, Garda nuk përdor armë të tilla’. Mjekët e spitalit të Traumës që dolën menjëherë, thanë që vrasjet janë bërë nga afër dhe me armë që nuk i ka policia… ç’punë kishin mjekët?”, u shpreh ndër të tjera gazetari.

Mesazhi për Bardhin

Ndërkohë gazetari Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me përgjimet e aplikacioneve “SKY ECC” dhe “ENCRO CHAT”. Ai u ndal te Ervis Martinaj, fati i të cili ende nuk dihet, ku tha se mund të përdorte 10 SKY ECC, ndërsa për kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se ky i fundit përdori aplikacionin SKY ECC në nëntor të vitit 2023. “SKY ishte një telefon që s’kishte nevojë për numër, instalohej programi dhe bëje abonimin çdo 3, 6 muaj apo edhe 1 vit. ENCRO CHAT ishte më i madh në telefon, ngjason si iPhone 15. Bardhi e vendosi në vitin 2023. Ajo bisedë nuk është se nuk ekziston, por është bërë në nëntor ose dhjetor të 2020. Ka ndaluar si platformë. Ajo bisedë mund të jetë në dosje, por zhvendosja e tre vite që bëri… dhe duke e zhvendosur me dashje apo pa dashur, ai duke tentuar ta përdorë në aktivitet politik krijon këtë situatë. Nuk ka pasur SKY në atë periudhë”, tha ai.

Vis Martinaj kishte 10 kode në aplikacionet “SKY ECC”

Po ashtu, gazetari Artan Hoxha ka treguar detaje nga përgjimet e “SKY ECC”. I ftuar në një emision, ai tha se në dorë të SPAK ka shumë materiale që po ndihmojnë jashtë mase shumë në hetime. Sipas tij, nuk është problemi te përdorimi i platformave të kriptuara, por te komunikimet brenda tyre. “Aplikacionet si ‘SKY ECC’ dhe ‘ENCROCHAT’ i kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme SPAK. Mbi 80 për qind të punës e ka të lehtësuar. Jo të gjitha të dhënat janë vënë në dispozicion të SPAK, por janë të mjaftueshme për të dëshmuar se çfarë ka ndodhur. Kanë qenë dy platforma komunikimi që supozoheshin të ishin super të sigurta. Në vetvete platforma nuk është kriminale, por çfarë diskutohet aty po. Media angleze nga viti 2016 filloi të sulmojë kriminalitetin shqiptar. Drejtuesit e lartë u zhvendosën nga Britania drejt Belgjikës”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, ai u ndal edhe te Ervis Martinaj, duke marrë shkas nga presionet që i janë bërë kreut të grupit demokrat Gazment Bardhi. Sipas tij, me “SKY ECC”, kanë komunikuar jo vetëm bosë krimi, por dhe politikanë dhe njerëz të drejtësisë. “Nga aq sa kam njohur Vis Martinaj jo vetëm që përdoret SKY, ai mund të përdorte dhe 10 SKY, abonimi bëhej në Tiranë dhe ishte 150 euro në muaj. Mund të ketë pasur dhe më shumë SKY. Me SKY kanë komunikuar politikanë, njerëz të drejtësisë, biznesmenë, njerëz të thjeshtë, verat për çfarë përdorej. Ai që e ka përdorur ka dashur një formë të sigurt komunikimi. Jo çdo kush e ka përdorur për arsye kriminale. Këto të dhëna të siguruara nga autoritetet franceze, kanë një yll poshtë dhe thuhet që do përdoret për trafikun e drogës. Të dhënat i kanë shkuar SPAK”, nënvizoi gazetari i njohur, Artan Hoxha.