Opozita do të përshkallëzojë nesër aksionin e saj, duke shkuar te bllokimi i rrugëve. Në orën 17.00, demokratët në shumë qytete do të dalin në rrugë dhe plani është që të paralizohet qarkullimi në akset kryesore.
Sipas PD, do të bllokohen akset: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.
Të gjithë deputetët janë shpërndarë në zonat e tyre elektorale dhe janë duke detajuar planin e bllokimit, ku përveç qytetarëve, pritet të vendosen makina dhe po ashtu të digjen goma me qëllim që të bëhet i pamundur qarkullimi.
Sipas informacioneve, forcat e policisë do të jenë në gatishmëri dhe do të tentohet që të lirohen akset, që do të thotë se mund të kemi tensione dhe përplasje me forcat e rendit. Me shumë gjasë përdorimi i gazit lotsjellës do të jetë shumë i zakonshëm nesër.
Edhe pse PD synon të godasë qeverinë, aksioni nesër do të dëmtojë shumë qytetarët, të cilët do ta kenë të pamundur të lëvizin. Sipas kërkesës që ka bërë PD në polici, protesta mund të zgjasë afro 3 orë dhe që do të thatë se do të kemi paralizim të trafikut thuajse në të gjithë vendin.
Vetë policia në një reagim paralajmëroi reagim, duke refuzuar lejen për protestë. “Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore, Policia e Shtetit u ka kthyer përgjigjje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve. Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, tha policia.
Ndërkohë Sali Berisha ka paralajmëruar nesër reagim nëse provokohen nga policia. “Drejtimi i Edi Ramës, është drejtimi i ndërtimit të parajsës përrallore me fondet dhe pasuritë publike të vjedhura nga Edi Rama, familja e tij, organizata kriminale që quhet qeveri, Skrapi i partisë dhe organe të tjera të narkoshtetit. Revolta nesër është revoltë për t’i dhënë mësimin historik këtyre narkoqeveritarëve që vjedhin më shumë se sa kanë vjedhur në kohërat qeveritare të këtij vendi, më shumë se çdo qeveri tjetër në Europë, që me hanxharët e krimit, të drogës ka bllokuar rotacionin e pushtetit” , tha ai.