Teksa opozita ka paralajmëruar protestë kombëtare sot në orën 17:00, me thirrje për bllokim të rrugëve kryesore të vendit, protestuesit kanë nisur të grumbullohen në pikat e caktuara ku dhe do të protestojnë për mosbindje civile.
Gazetarja e News 24 Klodiana Haxhiaj raporton se protestuesit e Durrësit do të bllokojnë autostradën Tiranë-Durrës në të dy krahët te nënkalimi i Shkozetit.
Edi Paloka do të jetë ai që do të udhëheqë protestuesit në këtë zonë.
Ndërkohë Segmenti i Sheshit “Shqiponja” do të jetë ndalesa e demokratëve të Tiranës dhe qarkut të Dibrës.
Një tjetër segment që do të bllokohet është edhe rrethrrotullimi i Milotit nga deputetët e Kukësit, Lezhës e Shkodrës.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit do të bëhen bashkë demokratët e Korçës dhe Elbasanit. Degët e Lushnjës, Kavajës, Rrogozhinës e Divjakës janë udhëzuar të bllokojnë rrethrrotullimin e Rrogozhinës, ndërsa ato të jugut rrethrrotullimin e Levanit.
Çdo segment do të ketë në krye degët e PD në rrethe si dhe deputetët e qarkut.
Këto pika janë segmenti sheshi Shqiponja, ku do të jenë të pranishme degët e Tiranës dhe qarkut Dibër që do të bllokojnë hyrje-daljet në këtë rrugë dhe lëvizjen e automjeteve.
Deputetët që do të jenë në këtë pikë janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët të cilët do të jenë bashkë me qytetarët.
Pika e dytë do të jetë rrethrrotullimi Milot, ku do të vendosen deputetët e qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli.