Partia Demokratike ka thirrur sot një protestë kombëtare në atë të cilën e quan si një nisje të një vale protestash deri në arritjen e tre qëllimeve të tyre: Zgjedhje të lira, qeveri teknike dhe lirimi nga burgu i Sali Berishës.
Dy orë para protestës, Policia ka nisur “rrethimin e Tiranës.
Në pamjet e siguruara nga “Ora Neës” duken qartë dhjetëra furgonë policia të shpërndarë në gjithë perimetrin e paralajmëruar për bllokimin e akseve kryesore të kryeqytetit.
SKENARËT
Ashtu siç ka deklaruar edhe më herët lideri demokrat Sali Berisha, por edhe eksponentë të tjerë të PD-së, në këtë protestë nuk do të ketë fjalime dhe kryefjala do të jetë mosbindja civile.
Burimet mediatike kanë zbuluar disa nga “skenarët” që priten të ndodhin gjatë protestës së sotme ku synimi i demokratëve sot është bllokimi i trafikut dhe ndoshta shkuara në Surrel në shtëpinë e kryeministrit Rama.
Kjo protestë që sipas demokratëve është nisja e një vale protestash erdhi pas dënimit me një vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë.
Opozita nuk ka zbuluar akset që do të bllokohen dhe ka theksuar se qytetarët do të kenë fjalën në këtë protestë të 7 tetorit. Pjesëmarrës në protestë do të jenë edhe aleatët e Partisë Demokratike, si Ilir Meta, Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Vangjel Dule.
MBI 1 MIJË EFEKTIVË NË TERREN, RRUGËT QË DO TË BLLOKOHEN
Në lidhje me protestën dhe masat e marra Policia e Shtetit ka ndarë planin e saj me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë.
Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale policia dje bëri me dije se ditën e sotme në Tiranë, në orën 18:00, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët:”Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”. Gjithashtu mësohet se në terren do të jenë më shumë se 1 mijë forca policore.
Policia njoftoi një ditë më parë se ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e kësaj proteste dhe u bëri apel pjesëmarrsve që të distancohen nga çdo akt dhune.
“Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve”, njofton Policia
Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore që lidhen me bulevardin kryesor.
KUFIZIMET NË AKSET E TJERA:
Kafe “Europa” – Segmenti “Ushtari i panjohur” deri te 9-katëshet;
Shkolla “1 Maji” – kryqëzimi i urës së ATSH-së deri te rruga e Elbasanit;
Kryqëzimi i Liceut Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;
Sheshi “Skënderbej”, bashkia Tiranë dhe Pallati i Kulturës;
Kryqëzimi i Librit Universitar;
Kryqëzimi i 21-Dhjetorit deri te shkolla “Sabaudin Gabrani”;
Kryqëzimet në zonën ish-Bllokut, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ismail Qemali”;
Rrethrrotullimi “Zogu i Zi”;
Kryqëzimi te ish-stacioni i trenit;
Kryqëzimi i urës së Taiëanit;
Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen e sheshit “Skënderbej”;
Kryqëzimi i urës së ish-hotel “Dajti”;
Kryqëzimi i 9-katësheve me Rrugën e Barrikadave;
Rruga “Dritan Hoxha”, përpara vendit të quajtur “Kupola”;
Kryqëzimi i pallatit me shigjeta.