Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i ftuar në një intervistë televizive, ka komentuar arrestimin e presidentit të PL-së një ditë më parë për të cilin u shpreh se tërheqja e tij në atë mënyrë të lë një shije të hidhur.
Ai tha se ne duhet të merreshim me akuzat që rëndojnë mbi Metën dhe jo me mënyrën e arrestimit, ndërsa theksoi se shpreson që të ketë pasur kamera trupore nga ana e operacionales për të kuptuar të gjithë dinamikën e atij momenti.
“Arrestimi mori një vëmendje dhe në vend të merreshim me faktin që Meta ishte prej kohësh në fokus për disa akuza dhe pritej arrestimi i tij, u morëm me mënyrën se si u arrestua me forcë.
Në veçanti forcat operacionale patjetër që duhet ti dokumentojnë rastet por dhe shpresojmë të ketë pasur një filmim me kamera trupore dhe të shfaqet në momente e ardhshme. Shpesh herë policia është rënduar me akuza dhe opinionet dhe për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur brenda ambienteve të saj.
Aq më tepër kur kemi personalitete siç është Meta patjetër që do krijonin debat publik dhe mund të kemi dhe ankesë për mënyrën e trajtimit që është bërë nga policia. patjetër që mundtë kemi kamera trupore dhe veprimet dhe mosveprimet të evidentohen përmes këtyre kamerave.”
Më tej ai shtoi se gjithë debati është fokusuar te mënyra dhe vendi i ndalimit që nuk është aspak e hijshme, prandaj shpresoj që të ketë pasur kamera trupore për të hedhur dritë mbi këtë moment.
“Kemi të bëjmë me një figurë politike, publike që ka pasur një sërë funksionesh të rëndësishme dhe momenti i ndalimit, shoqërimit, kemi pamje që tregojnë përballjen mes tyre për mënyrën se si është ndaluar dhe tërhequr drejt fugonit të policisë, por subjektet janë në zbatim të një ligji.
Veprimet janë nga shoqërimi normal dhe deri te ai me forcë nëse personi nuk i përgjigjet. Ai do zbatojë një vendim të gjykatës, por kjo duhet të jetë e diferencuar mbi bazën e reagimit të një personi. Kjo ka sjellë dhe reagimin dhe kundër reagimin e mënyrës se si është realizuar, prandaj shpresoj që të ketë pasur kamera trupore për të hedhur dritë mbi këtë moment.
Mund të ishte patjetër një vend më i qetë, sepse kjo është e tepërt duke menduar se ai është dhe familjar dhe e shohin fëmijët. Mënyra e tërheqjes të lë një shije të hidhur, pjesa tjetër është e pakuptueshme për aq kohë sa s’kemi komunikim zanor për të kuptuar në bazën e një protokolli apo jo.”