Rënia e monedhës së përbashkët europiane pati të fituar, por edhe të humbur, ku kryesisht më të humburit janë ekportuesit në sektorin fason. Industria e fasonerisë po përballet me sfida të shumta, përfshirë rritjen e kostove dhe zhvlerësimin e euros, që ul të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë.
Kjo është e dukshme sidomos në të dhënat e tregtisë së jashtme, ku për disa muaj me radhë ndikimin më të madh në rënien e ekporteve e ka pikërisht grupi i tekstileve dhe këpucëve. Shifrat evidentojnë qartë se ky sektor ka treguar një tendencë rënëse për një periudhë të gjatë kohore.
Eksportet shqiptare, gjatë periudhës Janar-Shtator të këtij vitit ranë me 14.2%, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 6.0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me 5.1 pikë përqindje dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 1.5 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” me 0.04 pikë përqindje.
“Scan Intel” është ndalur në ndryshimin vjetor të këtyre grupeve për të parë se si ka qenë ecuria e tekstileve dhe këpucëve. Rënia vjetore e ekporteve në vlerë për këtë grup sa i përket periudhës nëntëmujore vlerësohet në 17.7%. Rënie po ashtu regjistrojnë edhe në volum, pra në peshë, më një vlerë prej 12%, krahasuar me nëntë muajt e vitit 2023.