Kryeministri Edi Rama dhe eurodeputeti Fredi Beleri do të takohen mes tyre pas rreth 1 muaji.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta greke “To Vima” që në një artikull ditën e sotme e konsideron si “takimin e vitit”, dhe që pritet të ndodhë më 29 Tetor në orën 10:00 në Tiranë.
Takimi do të bëhet pasi Beleri është përfshirë në delegacionin e Parlamentit Europian për Komisionin Parlamentar të BE-së për Stabilizim-Asociiimin me Shqipërinë.
Delegacioni i BE, pjesë e të cilit do të jetë edhe Beleri, do të zhvillojë në Shqipëri një vizitë 3-ditore.
Ky komision do të informohet gjithashtu nga ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, në lidhje me zhvillimet për negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Takimi me Kryeministrin Edi Rama i komisionit ku do të jetë dhe Beleri parashikohet që të zgjasë rreth 45 minuta.
Pjesa e axhendës së takimeve, shkruan javanews.al, janë edhe përfaqësues të partive të tjera si dhe nëj takim me kryeparlamentaren Elisa Spiropali.
Vetë Beleri, në një intervistë për televizionin grek SKAI ditën e sotme, komentoi hapjen e kapitujve të parë të Shqipërisë për negociatat me BE-në duke thënë se “vendi i Shqipërisë është në BE”
Fredi Beleri u shpreh gjithashtu se në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE u fol me terma të qarta edhe sa i takon mbrojtjes së minoritetit grek që është politikë e BE-së”.
Fredi Beleri, i cili u dënua në Shqipëri me 2 vite burg për blerje votash kur kandidoi për kryebashkiak të Himarës, u lirua me kusht nga qelia më 2 Shtator 2024.