Ekonomia e Shqipërisë po performon pozitivisht. Vlerësimi i fundit vjen nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku në raportin e vjeshtës për ekonominë globale ka rishikuar me rritje projeksionet për vitin 2024, duke vlerësuar se ekonomia do të rritet me 3.3% nga 3.1% që ishte vlerësimi i kaluar.
Ecuria pozitive sipas FMN do të vijojë edhe vitin e ardhshëm edhe pse në vlera të ulëta, pasi pritet që ekonomia të rritet me 3.4% në 2025-ën. Motorët kryesorë të rritjes ekonomike mbeten turizmi dhe ndërtimi, fakt ky i konfirmuar edhe nga INSTAT, ku rezultonte se ishin fushat me peshën më të madhe në rritjen ekonomike në gjashtëmujorin e parë të vitit, kur PBB-ja u rrit me afro 4%.
Në vlerësimin që i është bërë ekonomive të Ballkanit Perëndimor nga FMN, rritjen më të lartë thuhet se do e ketë Serbia për këtë vit me 3.9%, ndjekur nga Kosova me 3.8%, Mali i Zi me 3.7% më pas është Shqipëria, për të vijuar me Maqedoninë e Veriut me 2.2% dhe në fund Bosnjë Hercegovina me rritje vetëm 1.6%.
Ky parashikim i FMN është thuajse në të njëjtën linjë edhe me vlerësimin e fundit të bërë nga Banka Botërore, në një raport për vendet e Ballkanit, ku thuhej se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.3% këtë vit, e ndikuar kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi, ndërsa në vitin që vjen do arrij në 3.4%. Ndërsa qeveria pret që ekonomia të rritet në vlerat 3.8%-4%.