MENU
klinika

Avokati: Do kërkojmë pushim të çështjes

Gjyqi për Berishën dhe Malltezin shtyhet për në 25 nëntor

24.10.2024 - 13:40

Seanca paraprake e parashikuar të mbahej sot për Sali Berishën dhe 4 të pandehurit e tjerë mbi dosjen “Partizani” është shtyrë. Avokatët kanë pretenduar se ka pavlefshmëri njoftimesh pasi sipas tyre janë bërë pa përfunduar afati ligjor. E kështu gjykatësja Flojera Davidhi vendosi shtyrjen e seancës.

“Për shkak të pavlefshmërisë së njoftimit dhe për shkak të volumit të jashtëzakonshëm të dosjes seanca është shtyrë për datën 25 Nëntor ora 12:00”, tha avokati Genc Gjokutaj.

I vetmi i pranishëm në sallë ishte biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërsa pjesa tjetër vendosi të përfaqësohej vetëm me avokatët.

“Zoti Berisha nuk është e nevojshme të paraqitet. Në seancat që janë procedurale prezenca nuk është e nevojshme, por sigurisht që zoti Berisha në seancat ku do të jetë e domosdoshme prezenca e tij do të çmohet nga ne dhe ai, dhe sigurisht ai është pjesë e procesit si në prezencë dhe në mungesë”, sqaroi avokati i ish-kryeministrit Berisha.

Dosja “Partizani” me 333 fashikuj u dorëzua pasditen e 18 Tetorit në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme. SPAK thotë se hetimet e kryera e ngarkojnë me përgjegjësi ish-kryeministrin se është korruptuar për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, vepër që e ka konsumuar nëpërmjet dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Si korruptuesin e tyre, SPAK thotë se është biznesmeni Fatmir Bektashi, ky i fundit bashkë me Malltezin dhe 3 të tjerë dyshohen edhe se kanë pastruar para. Berisha dhe Malltezi nga ana tjetër kanë dorëzuar kundërshtimet e tyre, duke pretenduar se hetimi i SPAK është pa objekt, me mangësi dhe se ka motive politike.

E kështu, gjyqtarja Davidhi ka 3 mundësi për të vendosur. Ajo mund të pranojë kërkesën e SPAK dhe të kalojë çështjen për gjykim, të pranojë kërkesën e avokatëve dhe të pushojë çështjen ose mund të rikthejë dosjen në SPAK për hetime të mëtejshme duke i lënë detyra përkatëse. Nëse ajo pranon aktet e dosjes së SPAK atëherë nis zyrtarisht gjyqi në themel.

Sali Berisha akuzohet në këtë dosje për korrupsion pasiv. Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina vetëm për pastrim parash.

Kryetari i Partisë Demokratike dhe dhëndri i tij janë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe përgjatë hetimit kanë mohuar akuzat. Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi është hetuar nën masën detyrim paraqitje. Begeja e Pustina janë hetuar në gjendje të lirë gjatë kësaj kohe.

Akuzat nga SPAK

Sali Berisha – “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.

Jamarbër Malltezi – “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Fatmir Bektashi – “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Xhimi Begeja – akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Andia Pustina – “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Studio Pustina sh.p.k. – “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale.

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Homeplan sh.p.k. – akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i parë i Kodit Penal;

Subjekti juridik, shoqëria tregtare, Kontakt sh.p.k. – akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.