Liam Payne, ish-ylli i One Direction, ka humbur jetën tragjikisht në moshën 31-vjeçare në Argjentinë pasi u rrëzua nga kati i tretë i një hoteli në Buenos Aires.
Payne kishte arritur famë globale si pjesë e grupit shumë të dashur të krijuar në shfaqjen televizive X Factor në 2010, së bashku me Harry Styles, Louis Tomlinson, Niall Horan dhe Zayn Malik.
Në fillim të këtij muaji, Payne mnori pjesë në koncertin në Argjentinë të ish shokut të tij të grupit One Direction, Niall Horan.
Sipas policisë në Buenos Aires, oficerët në vendngjarje i janë përgjigjur raporteve për një burrë agresiv që mund të ketë qenë nën efektet e drogës dhe alkoolit.
Kur mbërritën në hotel, zyrtarëve iu tha se një zhurmë e fortë ishte dëgjuar në një oborr të brendshëm. Menjëherë pas kësaj, ata gjetën trupin e pajetë.
Policia sakaq ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Drejtori i shërbimeve të urgjencës mjekësore, Alberto Crescenti tha për mediet lokale se Payne ka pësuar “lëndime serioze” dhe se do të kryhet një autopsi.
Crescenti nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me rrethanat e rënies së Payne nga ballkoni.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar konfirmoi se ishte në kontakt me autoritetet në Argjentinë “në lidhje me raportet për vdekjen e një britaniku”.
Payne publikoi status në Snapchat vetëm disa orë para incidentit, duke thënë: “Është një ditë e bukur këtu në Argjentinë”.
Payne fitoi famë globale si pjesë e grupit të djemve të formuar në 2010 në The X Factor, i cili u bë një nga grupet më të mëdha pop në botë. Grupi njoftoi se ishte në një pauzë në vitin 2016, dhe në 2019 Payne publikoi albumin e tij të vetëm solo. Ai ka një djalë me këngëtaren e Girls Aloud, Cheryl.