MENU
klinika

"Nuk mund të jetojmë në këto kushte"

‘Inceneratori’ i mbetjeve shtazore/ Banorët alarmojnë për ndotjen

11.10.2024 - 15:27

Banorët e lagjes Skëndërbeg në Lezhë ankohen për ndotjen e ambientit ku jetojnë, si pasojë e një fabrike që operon në atë zonë.

Liza Përleka, banore e kësaj lagjeje tha përmes një interviste televizive, se aroma që vjen nga fabrika në të cilët digjen mbetjet shtazore është e padurueshme.

Duke vijuar Përleka tha se ata do të vazhdojnë të insistojnë me protesta dhe me metoda të tjera pasi jeta për qytetarët rreth e rrotull fabrikës është bërë e padurueshme.

Sipas Përlekës për shkak të këtij inceneratori brenda qytetit po sëmuren njerëzit.

“Kemi bërë dhe herë të tjera protesta, kemi mbledhur 1700 firma. Kemi çuar peticion në institucionet shtetërore. Analizat e ujit dalin me ndotje maksimale. Nesër në orën 16: 00 kemi protestë.

Është një incenerator i vogël në mes të lagjes së banueshme. Nuk kemi asgjë personalisht me pronarin, duam ajrin të marrim frymë lirshëm në shtëpinë tonë. Nuk ka qenë zonë industriale. Ai incenerator duhet të jetë 3 km larg zonës së banuar.

Nuk dalim dot në oborr, në ballkon. Nuk mund të iki e gjithë lagjja.

Kemi shpresë tek protesta që do të organizojmë nesër. Shpresojmë të kemi mbështetje edhe nga deputetët.

Pas protestës do të vijojmë të insistojmë në të gjitha institucionet.

Në takimet që kemi zhvilluar derë më derë takuam 2-3 të sëmurë, njëri po trajtohej për kancer, e ka shtëpinë 100 metra. Do të vazhdojmë të protestojmë deri në zgjidhjen e problemit.

Digjen mbetje shtazore që mblidhen nga Europa dhe Shqipëria. Është incenerator djegiesh mbeturinash.”

Një tjetër banor, Jetmir Çuni tha se ata s’kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet, ndërsa pronari mohon aromën.

“I jemi drejtuar të gjitha institucioneve përkatëse dh nuk kemi marrë përgjigje, nga policia, prokuroria dhe Ministria e Mjedisis. I jemi drejtuar me shkresa zyrtare. Kemi kontaktuar dhe ai thotë aromë nuk ka, e mohon. Janë vendosur të gjitha institucionet në dijeni.”