MENU
klinika

Burg për tre akuza

Ish-deputeti i PS, Çyrbja: Nuk kam përdorur “Sky Ecc”

22.10.2024 - 20:20

Mëngjesin e së martës ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja mbërriti në Gjykatën e Posaçme nga hyrja që përdoret për të paraburgosurit. Mes një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura gjyqtari Erjon Bani vendosi të konfirmojë masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar në mungesë ndaj tij.

Në këtë mënyrë, ish-ligjvënësi, që sipas SPAK ka qenë përdorurës i aplikacionit të enkriptuar SKY ECC do të vijojë të qëndrojë në paraburgim teksa do të hetohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, “përkrahje të autorit të krimit” dhe “tregim të sekretit shtetëror”.

Masa e sigurisë “arrest në burg” u la e pa ndryshuar edhe për të arrestuarin e dytë të çështjes, Ahmet Masha, lidhje familjare e ish-deputetit.

Gjatë seancës, të dyshuarit kanë qëndruar të heshtur. Përmes avokates së tij, ish-deputeti Çyrbja ka mohuar akuzat dhe faktin që të ketë përdorur aplikacionin SKY ECC, shkruan A2.

Jurgis Çyrbja u prangos mbrëmjen e së dielës pas dyshimeve të SPAK, se kishte zbuluar informacion sekret tek persona në kërkim nga drejtësia, përmes komunikimeve në SKY ECC, duke i ndihmuar të mos binin në prangat e policisë.

Sipas Strukturës së Posaçme në 7 raste, funksionarë publikë ende të paidentifikuar i kanë zbuluar Çyrbjes akte që përmbanin sekret shtetëror e më pas deputeti ja ka përcjellë personave të shpallur në kërkim.

Ai dyshohet t’i ketë sinjalizuar ata edhe për disa plane operacionale të policisë në zonën e Durrësit për arrestimin e tyre. Po sipas SPAK, teksa ishte deputet Çyrbja ka pasur marrëdhënie miqësore me Altin Hajrin, ndërkohë që ky i fundit ishte në kërkim ndërkombëtar si i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës janarin e vitit 2020.

Në këmbim të favoreve, thotë SPAK, Altin Hajri, i siguronte deputetit votues në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


SPAK e mori të pandehur për shpërdorim detyre

Arrestohet ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja