Kryeministri Edi Rama nga Nju Jorku ka dhënë lajmin se qeveria ka nisur bisedimet për ngritjen e një akademie të NBA në Durrës.
“Dua tu jap dhe një lajm. Ju e dini që kemi filluar punimet për ngritjen e Akademisë së Manchester City-t, dhe jemi në bisedime për të ngritur po në Durrës edhe një akademi të NBA”, tha Rama.
Pas fjalimit, Rama ka bërë dhe batuta me shqiptarët e Nju Jorkut, duke u thënë se do të dëgjojë pyetjet e tyre, pasi me fjalime u ka dalë dhe në frigorifer.
“Nuk kam ardhur t’ju them se Shqipëria është fushë me lule, sepse nuk është. Përkundrazi kemi shumë ferra për të pastruar dhe shumë plagë për të shëruar. Kam ardhur për t’ju thënë sesa krenar jam për ato që kemi arritur dhe se jemi të vetëdijshëm ku duam të shkojmë.
Kam patur një debat me miq de kolegë për të marrë apo jo pyetje nga ju. Pjesa më e madhe thoshin mos merr pyetje se nuk i dihet, bëj një fjalim të gjatë. Por duke qenë se keni ardhur këtu sot dhe me siguri fjalimet nga unë i keni kollaj fare, sepse kudo të shtypni butona unë ju dal. Madje edhe në frigorifer mund t’ju dal, unë nuk besoj se mund të iki pa ju përgjigjur disa pyetjeve tuaja”, tha Rama