MENU
klinika

“PD-ja fushatë me ‘hije burgu'”

Kadilli ‘shpërthen’ ashpër: Opozita ka humbur trenin, të tre kryetarët i ka në…

24.10.2024 - 21:05

Një sërë zhvillimesh kanë përfshirë politikën kohëve të fundit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, i ka dërguar fletëthirrje deputetit socialist, Plarent Ndreca për ta marrë të pandehur për shkelje të barazisë në tendera. Nga ana tjetër është shtyrë për në datën 25 nëntor seanca paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe të pandehurit e tjerë për dosjen “Partizani”. Ndërkohë, GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Për zhvillimet e fundit politike, i ftuar në një emision televiziv ishte ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Fatbardh Kadilli.

Kadilli tha se arrestimi i Z.Meta, tregon se në vendin tonë po funksionon si kurrë më parë sistemi i drejtësisë. Ai tha se PD-ja ka humbur trenin, duke theksuar se të tre drejtuesit kryesor të opozitës janë nën hetim.

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD deklaroi se rasti i Z.Ndrecës dhe i Z.Çyrbja është shembulli më i mirë se si drejtësia po çmonton lidhjet e mazhorancës dhe kryeministrit Rama me krimin

Intervista e plotë:

-Si e lexoni arrestimin e Z. Metës dhe çfarë impakti do të ketë kjo në kampin opozitar?

Kadilli: Arrestimi i Metës dhe hapja e procesit është një pikë kulmore e reformës në drejtësi. Nuk është vetëm rast korrupsioni, është një karrierë e tërë e lidhur me politikën me bizneset, me bizneset e mëdha në raporte korruptive. Për fat institucionet e drejtësisë po përmbushin pritshmëritë e qytetarëve. Aleati i vetëm që ka opozita përballë mazhorancës është SPAK. Unë nuk jam i verbër të mendoj se është drejtësi e balancuar 100%, por besoj fort që çfarë është realizuar në këto 2-3 vite nuk janë bërë para 30 vitesh. Nuk ka më persona në biznes dhe në politikë të paprekshëm nga hetimi

-Një tjetër deputet i PS, është vënë nën akuzë ditën e sotme, Plarent Ndreca, pra nga dita në ditë kemi lajme që SPAK po vë në hetim si nga e majta dhe nga e djathta. A është ky një lloj riformatimi i klasës politike?

Kadilli: Atë që ne nuk e bëmë dot si shoqëri me anë të votës, atë që nuk e bëmë dot si politikë me rotacionin, po e bën sot institucioni i drejtësisë. Kjo është një përvojë që ka ndodhur edhe në shumë vende të tjera të botës. Rumania ka qenë vendi me më shumë zhurmë në këtë drejtim, por edhe Kroacia, Maqedonia kanë pasur të njëjtën rrugëtim për pastrimin e politikës. Thelbi i çështjes që akuzohet Meta, është akuza që Berisha ka ngritur si akuzë në 2015 në Parlament, përfshirjen në çështjen CEZ-DIA. Ne si opozitë nuk e duartrokasim dot këtë, sepse duhet të kujdesemi të mbrojmë Metën. Opozita zyrtare ka humbur trenin. Të tre kryetarët i ka në procese gjyqësore.

-PD është e vendosur të ndjekë rrugën e protestave, në datën 29 kemi një protestë, një bllokim të akseve rrugore e deri në bllokim të aeroporteve, ju si e lexoni këtë? A do të ketë efekt kjo lloj strategjie që po ndjek PD në raport me këtë që po bën SPAK nga krahu tjetër?

Kadilli: Berisha dhe ekipi që e mbështet kanë marrë mendim për ta radikalizuar. Bëhen protesta për “Lironi Berishën”, “Mos hetoni Metën”,etj. Është e vështirë të ndahen, pra po bëhen protesta për të mbrojtur Berishën apo për të rrëzuar qeverinë Rama? Qeverinë e Ramës ne mund ta rrëzojmë me votë, mbas 8-9 muajsh. Të tre drejtuesit që sot janë në opozitë, por që kanë pasur më shumë pushtet ekzekutiv, janë nën hetim. Opozitarët duhet të kuptojnë dhe të vendosin do kthehen në avokati dhe në mbrojtje të lidershipit apo do të kthehen në mbështetës të sistemeve të drejtësisë, që sot po çmontojnë qeverisjen e mazhorancës, rasti i z.Ndrecës, i z. Çyrbjas. Ky është shembulli më i mirë se si drejtësia po çmonton lidhjet e mazhorancës dhe z. Ramës me krimin. Duhet t’i duartrokasim, jo ti godasim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kadilli kundër bashkëqeverisjes Rama-Basha

“Do të ishte tradhëtia më e madhe ndaj PD”

Zgjedhjet në PD, miratohet udhëzimi i vlerësimit të votës

Fletët me shenjë dhe dy përzgjedhje nuk do të konsiderohen të vlefshme