Kryeministri Edi Rama tha se ‘informaliteti i pagave është një armik i pensioneve dhe i pensionistëve’.
Në takimin që sot u zhvillua me strukturat tatimore për prezantimin e planit për luftën ndaj informalitetit, Rama tha se duhet një bashkëpunim mes qeverisë, bizneseve dhe individëve.
“Për të kuptuar se cila është përmbajtja komplekse e kësaj pjese të administrimit të të ardhurave që ne krijojmë dhe cila është vështirësia shumë komplekse për të adresuar nevojën për rritjen e pensioneve. Nga ana tjetër për të theksuar se në një proces si ky është i domosdoshëm një front i përbashkët shoqëror, mes qeverisë kompanive dhe individëve, sepse sigurimet shoqërore nga të cilat buron fondi i pensioneve janë një detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral i patjetërsueshëm për të krijuar mundësinë që zinxhiri i solidaritet të funksionojë. Sigurimet shoqërore janë detyrim i kujdo që merr një pagë dhe ai detyrim shkon tek ai që merr një pension. Sot do të fokusohemi tek informaliteti i pagave si një armik i pensioneve dhe i pensionistëve”, tha Rama.